e premte, 23 tetor 2009

Udhëtoj i vetëm


Tregim

Jonida Roli



Hapa derën kryesore të apartamentit të saj dhe bëra disa hapa. Në një çast, ajo doli nga dhoma dhe me një buzëqeshje të ëmbël m’u vërsul në krahë. I mora erë flokëve të saj duke hapur flegrat e hundës dhe aroma e tyre më trullosën. Më pas, i lëshova krahët e saj nga të miat dhe i fola lehtë:
- Do të nisem pasdite, Irena. E kam prerë tashmë biletën.
- Por, e kishim biseduar që do e harronim këtë udhëtim, – më tha dhe u vrenjt në vetulla.
- E di, e di këtë, por ndryshova mendje. Ky udhëtim është i rëndësishëm për mua. Të lutem të më kuptosh!
- Nuk mundem, Isak! Po e shkel tashmë fjalën tonë. E biseduam gjatë që do i vinim kapak këtij udhëtimi e ti më thua që sot pasdite do të nisesh!
- Do të kthehem shumë shpejt!
- Që do të kthehesh shumë shpejt e kam të qartë, por se ç’kam një parandjenjë...
- Ç’lloj parandjenje, Irena?
- Nuk arrij ta kuptoj, nuk di të ta përcaktoj, por di vetëm që më ngacmon brenda meje.
- Mos u beso këtyre gjërave, e dashur. Unë do të nisem, do të mbaroj ato punë për të cilat po shkoj dhe do të jem sërish në këtë vend, ku po gjendemi në këto çaste, së bashku. Je dakort, Irena?
- Nuk di ç’të të them më, Isak. Nuk dua që të shkosh. Ose, përse nuk më merr dhe mua me vete?
- Jo, jo, nuk është mendim i mirë ky!
- Atëherë, shko! Shko dhe mos harro të kthehesh sërish tek unë!
- Të premtoj, Irena!
Ashtu siç hyra, dola. Por këtë herë edhe mua më ishte krijuar një boshllëk në stomak. Ndoshta ngaqë do e lija atë vetëm ose ajo më kishte ngarkuar me emocionet e saj. Nuk i kushtova shumë rëndësi dhe vazhdova rrugën time që tashmë kisha nisur.


Në aeroport, ndërsa po kaloja bagazhet e mia, papritur, para fytyrës m’u shfaq një djalë me një pamje të frikshme. Por, pasi e vërejta me vëmendje, nuk dukej më i frikshëm, por ishte më tepër si një narkotik, i palarë dhe i parruar. Kapërceva chek-in - in dhe u drejtova për në korridorin e ngushtë. Ajo pamje më ndiqte nga pas. Zvogëlova ritmin e hapave dhe në heshtje dëgjoja ato të tijat që më ndiqnin në distancë. Më në fund gjendem në bordin e gjerë të avionit, të mbushur me pasagjerë të tjerë. U çlirova dhe mora frymë thellë, sepse në të vërtetë më frikësoi disi ajo përndjekje. Avioni për në Paris u nis dhe unë fillova të mendoj proçedurat dhe takimet që duhet të bëj atje. Dhe, pasi të mbarojë gjithçka këtu, do të kthehem pranë Irenës dhe do i jap një drejtim përfundimtar jetës sime me të. Do të ndërtoj një jetë normale. Është hera e fundit që bëj udhëtim i vetëm. Nuk më pëlqejnë dhe as më shijojnë më në vetmi. Kësaj radhe nuk mund t’i shmangesha dot, por gjërat do të ndryshojnë. Me kokën plot mendime, nuk e kuptova që koha kishte rrjedhur dhe pas pak do të uleshim në pistën pariziene.
Mbaroj proçedurën rutinë aeroportuale dhe më në fund gjendem jashtë saj. Fatmirësisht, pranë më gjendet një taksi dhe i bëj shenjë të më afrohet. Sapo hipi në atë makinë, në cep të trotuarit, pranë meje, shfaqet sërish pamja e atij djaloshit narkotik. “ Po ky, ç’dreqin bën këtu!Unë jam në Paris tani, më ka ndjekur nga pas?!”- mendoj me vete i hutuar dhe zhytem më thellë në poltron, ndërkohë që i them shoferit të niset. Makina lëviz dhe i afrohemi atij. E shoh me vëmendje pamjen e tij të heshtur, por edhe ai më ngul sytë përtej xhamit, i palëvizur.
“Oh, Perëndi! Ç’do të thotë kjo?! Ai mund të më njohë, ç’lidhje ka kjo tani?! Ndoshta është rastësi, mund të jetë pasagjer si unë, ose ndoshta i kujtoj dikë e më përndjek pa ndonjë qëllim, ehhh!...” – i them vetes, por nuk gjej dot një përgjigje ta shpjegoj situatën, kështu që dorëzohem ta lë pa përgjigje dhe mendoj për punët e mia. Bie telefoni në xhepin tim dhe Irena ma zhduk menjëherë këtë ndjenjë ankthi që më kishte kapur.

Pas shumë vërdallosjesh , mbaroj disa punë dhe tashmë është bërë darkë. Kthehem në hotelin ku jam akomoduar. Para se të ngjitem lart në dhomë, mendoj të hyj për disa çaste në lokalin e katit të parë. Por, sapo hedh këmbën e parë në pragun e saj, atje tej, në gjysmë dritë dhe pranë barit, më shfaqet sërish ajo fytyrë, ai narkotiku. Këtë radhë marr guximin dhe me vrull i shkoj pranë.
- Kush dreqin je ti? – i them duke i lëshuar frymën e rëndë para fytyrës dhe e zë për xhakete.
Ai nuk flet por vetëm më vëzhgon thellë në sy.
- Përse nuk flet? Më kupton? E kupton gjuhën time apo di vetëm të ecësh e të më ndjekësh?
Sërish heshtje. Këtë herë e zë nga krahu dhe e mënjanoj duke e shtyrë që të më largohet. Për çudi ai bën rezistencë dhe qëndron në vend.
- Ç’dreqin kërkon nga unë? – i them në formë kërcënimi në veshin e tij të djathtë.
- Ty! – më thotë.
- Ah, fliske atëherë! Dhe më kupton shumë mirë! Edhe një herë po të pyes: ç’kërkon nga unë që më përndjek kudo ku unë shkoj?
- Dua të hakmerrem për diçka, duke të ta bërë jetën ferr! Ti ke dikë që më përket mua. Ajo është vetëm e imja dhe së shpejti do të ta marr! – përgjigjet ai.
- Ku do të dalësh? Kush është kjo "ajo"? - e pyes i irrituar.
- Irena! - më përgjigjet i qetë.
- Si? Ç’ishte kjo? Je gjë i çmendur që më kërcënon kaq haptazi në jetën time? – e pyes, por nuk marr më përgjigje, sepse sapo unë hedh sytë në një tjetër pikë të lokalit, ai ishte zhdukur.
Turbullohem krejt dhe fryma tashmë më rëndon më shumë sesa veshjet që kam mbi trup. Ngjitem për në dhomën time me vrull dhe mbyll derën me çelës. Jam i sfilitur dhe gjëja që kërkoj më shumë është një gjumë i qetë dhe i rehatshëm.


Në mes të natës ngatërrohem midis ëndërrës dhe realitetit. Më del gjumi i trembur dhe ngrihem. Jashtë dhomës dëgjoj një zhurmë të lehtë dhe kollitje. Ndoshta janë klientë të tjerë që kalojnë nëpër korridor. Ngrihem në këmbë dhe shkoj nga dritarja. Ajo është gjysmë e hapur dhe perdja fluturon jashtë saj. Unë nuk e kam hapur atë! Atëherë, ndez dritën dhe hedh sytë përqark. Ndez një cigare dhe tashmë gjumi është zhdukur. Nata kalon dhe unë qëndroj duke bluar në mendje i ulur mbi shtrat.
Në mëngjes herët më telefonon sërish Irena.
- Isak! – më thotë ajo zëprerë.
- Po, Irenë, jam mirë, pas pak do të dal të mbaroj dhe punët e fundit e do marr avionin e parë të kthimit.
- Dakort, Isak, por duhet të të them diçka tjetër!
- Çfarë është? – pyes i hutuar.
- Mbrëmë në shtëpinë time ka ndodhur një lëmsh, ohhh, nuk di nga t’ia filloj, dikush ka hyrë në shtëpinë time dhe ka kthyer gjithçka përmbys. Për fat të mirë unë nuk kam qenë këtu, por kam ndenjur tek prindërit e mi...
- Çfarë?! Si? – e pyes i hutuar.
- Dua të di në ka ndonjë gjë që të shqetëson ty, apo ndonjë gjë që kërkojnë nga ti, sepse unë nuk besoj të jem ndonjë problem.
- Irena, po ndodh diçka që nuk po e kuptoj. Edhe unë jam i shqetësuar, por nuk di të jap një zgjidhje.
- Unë do të qëndroj tek prindërit e mi derisa ti të kthehesh Isak, por bëj kujdes. A të pata thënë që kam një parandenjë të çuditshme për këtë udhëtim? Tani që je larg, e bën më të vështirë gjendjen.
- Rri e qetë Irena, sonte do të kthehem. Do e zgjidhim bashkë këtë çështje.
- Dakort! Po të pres atëherë.

Marr gjërat e mia dhe largohem menjëherë nga hoteli. Sapo dal në trotuarin e gjërë për të pritur një taksi, papritur një makinë e zezë vjen pranë meje dhe me një shpejtësi marramendëse ngjitet mbi trotuar dhe më përplas. Rrëzohem shakull në tokë. Pas një çasti shoh shumë koka njerëzish mbi mua dhe më pas humbas ndjenjat.
Zgjohem dhe e gjej veten në spital të lidhur me tuba nëpër krahë.
- Sa është ora? – pyes.
- Tre e pasdites! – përgjigjet një infermiere.
- Nuk duhet të qëndroj këtu! Duhet të ngrihem, të marr avionin e të kthehem në vendin tim! – them dhe përpiqem të çlirohem.
- Jo, ti nuk mund të lëvizësh! Nuk thua shyqyr që je gjallë? Me tërë atë përplasje mund të kesh probleme celebrale, – më kthehet infermierja dhe më shtyn me forcë trupin për t’u shtrirë sërish.
- Ti nuk kupton! Duhet patjetër të largohem nga këtu. Më pret e fejuara në shtëpi dhe mund të jetë në rrezik.
- Ti nuk po kupton! Nuk mund t’i hipësh avionit në këtë gjendje!
I gjendur i pashpresë për të lëvizur, marr telefonin dhe formoj numrin e Irenës. Menjëherë më përgjigjet e ëma e saj.
- Isak! – më thotë me zë të dëshpëruar.
- Ku ndodhet Irena? Dua të flas me të!
- Isak, Irena ka që në mëngjes që s’është kthyer. E dërgova unë për një porosi, por nuk ka ardhur. Telefonin e ka lënë këtu dhe nuk di se si të kontaktoj me të.
- Ç’do të thuash që nuk ka ardhur akoma? Duhej të ishte kthyer, apo jo?
- Po, më tha se do të kthehej shpejt, gjë që akoma nuk e ka bërë. Ku ndodhesh Isak, jam e frikësuar, pastaj shtëpia e saj sot në mëngjes....
- Unë jam akoma në Paris, madje në një spital. Më kanë përplasur që në mëngjes me një makinë në trotuar. Nuk di si të veproj, nuk mund të ngrihem dot të marr avionin e të nisem direkt!
- Isak, ç’po ndodh?
- Nuk e di, as nuk e kuptoj!
- Atëherë, po lajmëroj policinë. Ti qenke larg akoma.
- Menjëherë! Lajmëro menjëherë policinë!
Mbyll telefonin dhe më krijohet një marramendje dhe sërish humbje të ndjenjave.

Zërat e dy infermiereve më zgjojnë të nesërmen në mëngjes. Brof menjëherë dhe përpiqem të ngrihem në këmbë, por duart e tyre më mbërthejnë që të mos lëviz.
- Ju nuk kuptoni! Duhet të largohem menjëherë! – u them.
- Jo, ti nuk do shkosh gjëkundi! Je shumë i dobët, mund të rrëzohesh në rrugë! – më thotë njëra dhe më shtrëngon njërin krah që të lidhë sërish tubat që sapo i kisha zbërthyer.
- Je i trembur! – shton infermierja tjetër.
- Unë nuk i përkas këtij vendi. Jam i huaj dhe duhet të kthehem në vendin tim. Koha nuk pret! – i shpjegoj, por vërtet jam aq i dobët në rezistencë fizike saqë edhe fjalët më krijojnë lodhje.
Zgjatem pak dhe tërheq telefonin. I telefonoj Irenës. Asnjë përgjigje. Tentoj sërish. Sërish asnjë përgjigje. “ Ku jeni” – mendoj me vete. Marr frymë thellë dhe përsëris thirrjet. Sërish asgjë. E hedh telefonin te këmbët e mia dhe zgurdulloj sytë. Tek dera më shfaqet sërish pamja e narkotikut. Nuk arrij ta kuptoj nëse është haluçinacion, apo ai është vërtet aty.
- Infermiere! Infermiere! – thërras me aq zë sa më lejonin fuqitë.
Por, ato sapo kishin ikur dhe do të ndërronin turnin.
Vrojtoj sërish nga dera dhe figura e tij më është turbulluar. Nuk shoh qartë dhe nuk kuptoj më nëse është pikërisht ai apo diçka tjetër që më ngatërrohet në mendje.
- Kush je? Kush dreqin je ti? Çfarë kërkon nga unë? Pse nuk përgjigjesh? – e pyes, por pa marrë asnjë përgjigje.
Ndërkohë, ndjej dhimbje të tmerrshme të kokës dhe hundët njomen me gjak. Shikimi më turbullohet dhe me vështirësi shtyp butonin e urgjencës. Në një frymë vrapojnë drejt meje tre infermiere të tjera dhe i ulërijnë njëra-tjetrës për të vepruar me shpejtësi mbi trupin tim.
- Dua të shkoj te Irena! Duhet të nisem për tek ajo! Duhet ta kisha dëgjuar atë kur më tha që të mos e marr këtë rrugë të mallkuar! Më ndihmoni të shkoj tek ajo! Më ngrini, më ngrini nga shtrati! – u them tre infermiereve me zë të mekur dhe të ngaldatë, ndërkohë që ato merren me mua dhe i flasin njëra tjetrës.

Bip-i i përsëritur i aparatit sipër kokës sime më çjerr në tru dhe ndiej se një pjesë e madhe e fuqive të mia po merr arratinë. Zë njërën dorë të infermierës që më ndodhet pranë dhe e shtrëngoj. Mbyll sytë rëndshëm dhe kuptoj se mendja ime po fillon të zbardhet si një letër formati dhe jeta reale po shndërrohet vetëm në një pamje hijesh dhe pakuptimshmërie.
" Ky është fundi im!" - mendoj dhe lëshoj trupin.

Nuk ka komente: