
Jonida Roli
Tregim
Engjëlldjalli
- Ditë e bukur sot!
- Po, veç ftohtë!
- Ç’rëndësi ka i ftohti, mua më pëlqen dita!
- Dielli, do të thuash?
- Po, dielli! – plotëson tjetri dhe ngre sytë lart, mbi kullën e sahatit të qytetit, atje ku dielli lëshonte rrezet e tij verdhushe.
- Hej, shiko andej!
- Çfarë?
- Shiko atje në majën e kullës! Ç’është ajo gjëja e zezë atje që lëviz?
- Ku, ore? Nuk shoh gjë! Dielli yt m’i verboi sytë. I thuaj të largohet që ta vërej edhe unë!
- Nuk e sheh? Çudi! Ja atje është, duke lëvizur!
- Sa e vret mendjen, or mik! Mund të jetë ndonjë punëtor i mirëmbajtjes së kullës. E thjeshtë është, edhe kaq nuk kupton?
- Jo jo, në atë kullë ka kohë që nuk ngjitet kush. Më bëri kurioz, por u zhduk! Ah, u zhduk vërtet, ku shkoi?
- Ti je i çmendur, mik! Eja të ikim, se kam punë për të bërë!
- Jo, nuk largohem pa verifikuar atë që pashë atje lart. Dua të ngjitem.
- Po ta përsëris, mik, je i rrjedhur, edhe dielli të çoroditi!
- Oh, prit! U kthye! Por këtë radhë qenka i bardhë! Ç’po ndodh? Më parë ishte i zi!
- Ahahaha,... ika unë e nuk mund të merrem me ty!
Në rrugët e qytetit njerëzit lëvizin andej e këtej dhe nuk duan t’ia dinë për asgjë tjetër, përveçse halleve të tyre. Me pamjet e tyre krejt të ndryshëm njëri nga tjetri, duken sikur nuk shkelin në të njëjtën rrugë, por kanë ardhur nga vende të ndryshme. Kjo bashkëjetësë midis tyre është e largët, sa edhe interesimet.
- Hajde turmë, hajde! Mezallah se të hapin rrugë!– thotë një i moshuar nëpër dhëmbë në mes të rrugës.
Por, kjo jeta shoqërore në çdo cep të botës, në çdo qytet të prapambetur apo të moderuar, është e njëjtë. E njëjtë është edhe specia njerëzore. Nuk i ndahet grumbullimit nëpër sheshe. Nuk harrojnë të parakalojnë njëri-tjetrin nëpër trotuare. Dhe jeta e përditshme është po e njëjtë për secilin prej tyre.
- Hej, prit! Ti, ti, eja pak këtu! – i thotë sërish i dashuruari pas diellit një kalimtari të rastësishëm.
- Çfarë ke?
- Dua të të tregoj diçka! Ngrije kokën atje lart, a sheh gjë?
- Jo! Çfarë duhet të shoh?
- Më parë pashë një lëvizje me dy ngjyra, bardh e zi. Por miku im nuk më besoi. Iku dhe më la. Por unë nuk do të lëviz që këtu, derisa ta marr vesh se çfarë është.
- Unë nuk shoh gjë, vëlla! Kushedi çfarë deliresh të kanë zënë!
- As ti nuk më beson? Largohu atëherë! – thotë dhe kryqëzon duart e tij burri dhe shikimin e mban atje lart, sikur të ishte duke përgjuar.
Nga kjo bisedë me zë të lartë, kalimtarë të tjerë bëhen kuriozë dhe bashkohen me vëzhguesin e kullës.
- Kë po vrojton? – e pyet një kalimtar tjetër.
- Majën e kullës së Sahatit! – i përgjigjet ky rëndshëm.
- Përse?
- Dikush është atje, por askush nuk e sheh, veçse unë.
- Si ka mundësi që vetëm ti e sheh?
- Nuk e di! Ka diçka që vetëm unë duhet ta di, ndoshta?
- Ehhh, ti qenke i lojtur! – shton një tjetër kalimtar.
- Megjithatë, të gjithë jeni kuriozë ta dini! Shikoni! Keni ndaluar dhe po qëndroni bashkë me mua!
- Ndoshta budallallëku yt na bëri të ndalim hapin. Por, po të lemë të qetë atëherë, vazhdo vëzhgimin tënd!
- Mund edhe të qëndroni. Kështu më ndihmoni të gjej se çfarë është ajo atje që lëviz, që duket e zhduket, dhe herë i bardhë herë i zi!
Në atë çast kalojnë një grup grash, të moshuara.
- Ç’ka ndodhur, bir,që po qëndron si roje?
- Nëna, hajdeni pak këtu, pranë meje! Kam që në mëngjes që vëzhgoj dikë që lëviz atje lart, por nuk e di kush mund të jetë. Të jetë ndonjë punëtor, nuk është e mundur, sepse askush nuk është ngjitur deri atje lart. Shkallët e kullës janë të shkatërruara.
- Bir, kjo që po thua më duket e çuditshme!
- Dëgjo, mund të jetë një engjëll! Kushedi, Perëndia na e ka sjellë për të na mbrojtur shtëpitë, fëmijët dhe jetët tona!
- Jooo, ç’thua?
- Po, po, plakat u besojnë këtyre gjërave. Mund të jetë vërtet i tillë!
- Moj, nënë, ai njëherë është i bardhë, e njëherë është i zi! A e ndryshon ngjyrën Engjëlli?
- Ohhh, mund të jetë Djalli, atëherë! - shton gruaja e dytë duke vënë dorën strehë për të larguar rrezet e diellit me qëllimin për të vëzguar më qartë pamjen.
- Djalli? Çfarë po thua! – e kundërshton gruaja e parë të dytën.
- Unë them që janë të dy bashkë! – e konfirmon burri.
- Përse e mendon këtë?
- Sepse, në një çast del i bardhë e një çast tjetër i zi!
- Ohhh, na ruajtë Perëndia mendjen! Si ka mundësi që të jenë të dy sëbashku?
- Nuk e di nëna, atë po përpiqem të zbuloj!
Përveç këtij grupi të vogël vëzhguesish, në trotuarin pranë kullës kishte ndaluar një grup më i madh njerëzish. Të gjithë duke vërejtur majën e saj ndërronin duart herë pas here, që të largonin rrezet e diellit që shkëlqenin fort mbi majë.
- Po tani, a e patë? Sapo kërceu dhe u zhduk sërish!
- Ku? Jooo! - thanë të gjithë. - Po këtë radhë çfarë ngjyre ishte?
- I kishte të dyja ngjyrat njëherazi! Bardhezi, më kuptoni?
- E tmerrshme! – thanë gratë.
- Ohhh, një gjallesë e re qiellore! – psherëtinë të tjerë.
- Jo, jo! Është Engjëlli që hiqet si Djall! – shtoi dikush tjetër.
- Ose Djalli që hiqet si Engjëll dhe do të luajë me ne!
- U bëmë lëmsh tani,... kush është ky i flamosuri që na mblodhi këtu?
- Por, përse duhet ta shohësh vetëm ti, or mik, dhe ne jo?
- Në të besojmë vetëm ty tani, por vetë asgjë nuk shohim!
- Ju pengon dielli që nuk e shihni?
- Nuk ka mundësi! Ti duhet të jesh ndonjë njeri i veçantë që të është dhënë kjo ngjarje dhe po na e tregon të gjithëve.
- Bir, po tani çfarë po ndodh? – e pyet me kuriozitet të pamasë gruaja e parë.
- Nëna, ai bardheziu po qëndron atje e po na vëzhgon të gjithë ne!
- Si?... Po na vëzhgon?
- Po, është ulur këmbëkryq dhe po na sheh të gjithëve! Ja, i hapi krahët e u shtriq. Siç duket i pëlqeka shoqëria jonë!
- Oh, Perëndi! Engjëlli-Djalli po na vëzhgon! Duhet të na vijë ndonjë mbarësi apo fatkeqësi në qytetin tonë?
- Por mund të jetë edhe Djalli- Engjëll. Ç’kuptim do të ketë e gjithë kjo?
- Në plakat besojmë se, po të jetë Ëngjëll, një ngjarje e mirë do të ndodhë midis nesh. Por, nëse është vërtetë Djalli, atëherë duhet të ruhemi nga të ligat.
- Sa gjë e çuditshme! Nuk më ka ndodhur asnjëherë të përballem me një ngjarje të tillë! Kemi gati tërë ditën këtu që po merremi me këtë Njeri – Engjëll – Djall, dhe nuk po nxjerrim asnjë rezultat! – shtoi një i moshuar tjetër dhe ndezi një cigare.
- Por, edhe ai qenka qen bir qeni! Është akoma atje dhe rri e na vëzhgon të gjithëve! Nga pamja duket si njeri, por se ç’ka një të veçantë që nuk e kuptoj dot! Veç, jam i bindur që njeri si të gjithë ne nuk është!...
- Por, si të duket, na e përshkruaj! Je i vetmi që e sheh! Të paktën na informo për pamjen e tij.
- Nuk di si t’jua përshkruaj! Është si diell në flokë, i verdhë. I shëmtuar në fytyrë. Bardhezi në trup. Ju ndihmon kjo?
- Ju thashë që është Engjëll! – shtoi gruaja e parë.
- Joo, Engjëlli nuk është i shëmtuar! Është Djalli! – shton e dyta.
- Sa gjë e rrallë!
- Po tani që dielli iku e u shpërngul, a e shihni?
- Jo, aspak! E njëjta pamje është për ne! Kulla bosh!
- Nuk e shihni se si ngërdheshet në fytyrë? Më duket se po luan me ne!
- Ahhh!... Na u bëftë kurban! Na mbajti tërë ditën këtu në këmbë dhe ngërdheshet me ne! – ndërhyri njëra nga gratë.
- Na dashka këtu nëna!
- Qenka i çuditshëm ai!
Të gjithë duke u ngrysur me ditën bëjnë lëmsh gjithë ngjarjen dhe asgjë nuk nxjerrin në dritë. Ndërkohë, kthehet miku i zbuluesit të asaj qenieje. Pasi e sheh mikun e tj sërish aty ku e kishte lënë që në mëngjes, vëren që, bashkë me të, turma është dyndur poshtë kullës, mbi trotuar, dhe flasin me zë të lartë. Qesh me vete dhe u afrohet.
- Hej, miku im, këtu qenke akoma? Nuk ke lëvizur?
- E sheh? Ti nuk më besove për atë dyngjyrëshin atje lart! Pa shih, sa njerëz të tjerë më kanë besuar dhe janë bashkuar të gjithë me mua.
- Ah, vërtet? – pyet miku i tij dhe kthehet nga turma.
- Po, u besojmë fjalëve të tij, edhe pse vetë nuk arrijmë ta shohim! – folën të tjerë.
- Ahahahaa!...
- Përse qesh mik?
- Si, e harrove?
- Çfarë mik!
- Ti je i çmendur! Je i lojtur! I rrjedhur! Ti ke një vit në spitalin psikiatrik dhe një ditë që të nxorra shëtitje në dritën e diellit mes qytetit, more me vete një mori njerëzish!
- Çfarë?... Si?... – pyetën njëherazi njerëzit e turmës.
- Po, o miq! Miku im është delirant dhe nuk mban përgjegjësi për këto çfarë thotë e bën! Edhe ju i besuat asaj gjëje atje lart?
- Perëndi, na ruaj mendtë e kokës se u çmendëm dhe ne pas tij me Engjëll-Djallin! – shtoi gruaja dhe bëri shenjën e kryqit në trupin e saj.
- Ikim, ikim se na mori i çmenduri me vete! – thanë të tjerët dhe u larguan me vrull sikur një bombë do të shpërthente në mesin e tyre.
- Je i kënaqur tani, o mik? – e pyeti të çmendurin miku i tij.
- Jam i lumtur, miku im! Se nuk jam vetëm unë i çmenduri në këtë qytet! E pe vetë sesa të tjerë tërhoqa pas vetes?!
- Ikim tani se pas pak mbyllet porta e spitalit! Nuk do të të lejoj më që të hardallosesh me deliret e tua, duke përfshirë dhe të tjerët.
- Jam shumë i lumtur, miku im! Por, në të vërtetë nuk arrita ta përcaktoj se çfarë ishte ai atje lart: Engjëll apo Djall?
- Ishte një i çmendur, njësoj si edhe ti, miku im!...
Nuk ka komente:
Posto një koment