e martë, 6 tetor 2009

Mbarimi i Shkollës


Maya Angelou

Tregim

Përktheu: Jonida Roli



Dikur, një grua e bardhë nga Teksasi, e cila e quante veten një femër liberale, më pyeti për vendbanimin. Kur unë i thashë se ndodhet në Stamps dhe gjyshja ime ka pasur të veten një dyqan mallrash në atë lagje të zezakëve që në fillim të shekullit, ajo shpërtheu menjëherë:
- Si? Ti je një debutuese?
Qëndrimi i saj m’u duk mjaft qesharak. Sepse, vajzat zezake në ato lagje të qyteteve të vogla të Jugut, edhe pse shumë të varfëra, përpiqeshin për të qenë sa më denjësisht në nivelin e botës së të mëdhenjve, njësoj sic edhe vajzat e lagjeve të të bardhëve, që shfaqeshin nëpër revista. Duhet pranuar që ky nivel nuk ishte aspak i njëjtë. Ndërkohë që vajzat e bardha kishin mundësi të dukeshin si princesha, të uleshin nëpër kafene me filxhanin e kafesë përpara, duke bërë biseda me njëra-tjetrën, ne të zinjtë uleshim nëpër qoshe të lagjes dhe mësonim mbi vlerat e botës dhe shpenzonim për këto libra, edhe pse me shumë pak para.
Ne tërhiqeshim te të qëndisurat, madje, unë kisha një koleksion të gjerë fijesh shumëngjyrëshe për të krijuar mrekullira me to. U perfeksionova në stilin e kryqëzimit të të qëndisurit, aq sa vetëm në fustanet dhe jastëkët e mi ato gjendeshin aq të bukura. Isha e përqëndruar në punët e thjeshta të shtëpisë, në të të hekurosurit apo të larjes, madje edhe gatuaja gjellë me zarzavate, por, edhe pse nuk kishim gjithnjë mish për të ngrënë, ishte e detyrueshme të mësoja për të gatuar. Zakonisht, sipas forcës së zakonit, gjatë periudhës kur isha dhjetë vjece, përfundimi i shkollimit tim u bë kuzhina e një gruaje të bardhë.
Zonja Viola Kulinan qe një grua e shëndoshë, e cila jetonte në një shtëpi me tre dhoma, diku afër ndërtesës së Postës. Ajo ishte jashtëzakonisht e shëmtuar, përvecse kur buzëqeshte dhe rrotullonte sytë, gjë që ia bëntë shëmtirën t’i zbehej pak. Fytyra i shndërrohej në atë të një elfi të shkurtër. Zakonisht ajo buzëqeshte deri në mbrëmje vonë, për aq kohë sa mikeshat e saja uleshin në divane dhe zonja Gloria, kuzhinierja e shtëpisë, i servirte filxhanet e cajit e të tjera, ndërkohë që ato bisedonin.
Saktësia në shtëpinë së saj ishte e cuditshme. Gotat duhet të qëndronin vetëm në atë vend e askund tjetër. Në orën 12.00 fiks, tavolina duhej të ishte e shtruar dhe nuk kalonte sekondi. Ajo ulej në tavolinë dhe e fillonte drekën në 12.15, edhe nëse i shoqi i saj akoma nuk ishte kthyer nga puna.
M’u desh një javë e gjatë për të mësuar ndryshimet midis pjatave të shumëllojshme të sallatave dhe të tjerave.
Zonja Kulinan e ruante mirë traditën e prindërve të saj. Ata ishin nga Virxhinia. Ndërsa zonja Gloria, e cila bënte pjesë në kategorinë e skllevërve, sepse ishte shërbyese në atë shtëpi, më tregoi tërë historinë e zonjës Kulinan. Ajo kishte qenë e martuar, por familja e të shoqit ishte mjaft e varfër, e kundërt me familjen e saj. Megjithatë, kjo gjë nuk ishte bërë pengesë për lidhjen e tyre martesore.
Aq e shëmtuar sa ishte ajo, mendoja me veten, ishte me fat që kishte arritur të gjente një bashkëshort. Por zonja Gloria nuk më lejonte të thosha asnjë mendim mbi shëmtinë e saj. Ajo ishte shumë e durueshme me mua, në cdo punë shtëpie që mësoja. Enët e kuzhinës ishin aq shumë e aq të ndërlikuara, saqë vetëm gotat ishin të ndara në disa kategori, si ato të ujit, të verës, të lëngjeve të frutave, etj, e në mënyrë absolute nuk duheshin ngatërruar asnjëherë. Të mos numëroj më gjërat e tjera. Unë dhe zonja Gloria kishim enët tona që vendoseshin vecantë. Me kohë, fillova të zgjeroj fjalorin e mësimit të kuzhinës, dhe gati-gati sikur mësova një gjuhë tjetër. Gjithashtu isha e afeksionuar shumë me novelat që mbante zonja Kulinan në dhomën e saj, sidomos atë të “ Lizës në botën e cudirave”.
I shoqi i saj në kujtesën time ka mbetur mjaft i zymtë. Gjithnjë e ngatërroj me pamjet e të bardhëve të tjerë.
Një mbrëmje, ndërsa unë dhe zonja Gloria po ktheheshim në shtëpi, ajo më tha se zonja Kulinan nuk mund të kishte fëmijë. Arsyeja ishte se ajo kishte kocka shume delikate. Gjithashtu më tha se mjeku ia kishte hequr organet e brendshme femërore. Kurse unë arsyetova se ato mund të ishin organe si të derrit, si për shembull: mëlcia, zemra apo shpretka e saj dhe rezultova se ajo jetonte pa ato. Për këtë arsye ajo pinte pa fund alkool. Dhe prandaj abuzonte me to.
Kur ia tregova këtë gjë edhe Baileit, ai qe dakort me mua. Por gjithashtu ai më informoi se zoti Kulinan kishte dy vajza me një grua të zezë, të cilat unë i njihja shumë mirë. Ai më konfirmoi se vajzat kishin tiparet e të atit në fytyrat e tyre. Unë s’e mbaja mend pamjen e tij që të bëja lidhjen e ngjarjes, por e mora për të vërtetë këtë gjë, sepse vajzat ishin lëkurëbardha, në ndryshim me të nënës së tyre, gjë që të con në përfundimin se zoti Kulinan ka qenë vërtetë i ati.
Keqardhja ime për zonjën Kulinan u shfaq të nesërmen në mëngjes, kur sapo më pa më buzëqeshi si të isha një kotele. Ato vajzat e huaja mund të kishin qenë të sajat, por janë aq të bukura. Nuk do të kishin nevojë t’i mbanin flokët e tyre të gjatë vetëm gërsheta dhe mund të kujdeseshin për pamjen e tyre, veshjet, në qoftë se do të jetonin në këtë shtëpi. Buzët e tyre ishin aq të bukura dhe jo sic i kanë vajzat zezake zakonisht. Zonja Kulinan nuk e di se c’ka humbur. Apo ndoshta e ka ditur dhe e ka pranuar? E shkreta ajo!
Javë më vonë, unë vija më herët në shtëpinë e saj dhe ikja më vonë se zakonisht, sepse përpiqesha ta ndihmoja me praninë time si një vajzë e vogël që isha. Nëse do kishte vajzat e veta, nuk do të kishte nevojë për mua, nuk do të shkoja unë derë më derë të mikeshat – komshije të saj për t’i ftuar në kohën e cajit, por do të shkonin ato.
Një pasdite, zonja Gloria më tha që t’i shërbeja unë zonjave të ulura në divane. Ndërkohë që unë po merresha me vendosjen e filxhaneve dhe të ibrikut në tavolinën para atyre, njëra nga ato më pyeti:
- Si të quajnë vogëlushe?
Zonja Kulinan ndërhyri menjëherë:
- Kjo vajzë është fjalëpakë. E quajnë Margaret.
- Mos është e metë kjo, e shkreta?
- Jo. Mesa kam kuptuar unë, ajo flet vetëm atëherë kur dëshiron, por zakonisht është e urtë si një miush i vogël. Kështu Margaret?
I buzëqesha. E shkreta. Pa organe të brendshme dhe mezi e thotë emrin tim.
- Më duket një vajzë e ëmbël.
- Edhe mundet të jetë. Por emrin e ka shumë të gjatë, më lodh, do kisha dëshirë ta thërrisja Marie më mirë.
Unë u zhduka në kuzhinë. Ajo grua e tmerrshme nuk mund të më quante asnjëherë Marie, sepse unë isha shërbyese në atë shtëpi dhe jo vajza e saj.
Atë mbrëmje u ula të shkruaj një poemë, me dëshirat e mia për të qenë një grua e bardhë, e shëndoshë dhe pa fëmijë. Doja të bëja një tragjedi mbi të gjitha. Sepse në thellësi të saj, doja të prekja brenda vetes dhimbjen dhe vetminë e madhe të zonjës Kulinan.
Të nesërmen ajo më thërriti duke ma shtrembëruar sërish emrin. Unë dhe zonja Gloria po lanim enët e drekës, kur ajo erdhi tek dera e kuzhinës.
- Marie!
- Kush është Maria? – e pyeti zonja Gloria.
Por zonja Kulinan dhe unë e dinim shumë mirë se cila ishte Maria.
- Dua që Maria të shkojë deri tek shtëpia e zonjës Randal e t’i cojë asaj një tas me supë të ngrohtë, sepse nuk ka qenë mirë me shëndet këto ditë.
Zonja Gloria zgurdulloi njëherë sytë dhe pastaj e vështroi atë.
- E keni fjalën për Margaretin, zonjë? Emri i saj është Margaret, jo Maria!
- Ky emër është shumë i gjatë, që tani e tutje është Maria. Hidhe supën të ky tas i bukur kinez dhe, të lutem Marie, gjatë rrugës mbaje me kujdes që të mos derdhet.
Asnjë nga skllevërit në raste të tilla nuk e kanë pasur këtë privilegj, aq më tepër që zonja e shtëpisë të pëlqejë të thërrasin në emër, sipas dëshirës së tyre. Zakonisht, thirreshin zezakë, matrica, pisanjosë, zogj të zinj, sorra apo fantazma.
Zonjës Gloria për një cast iu krijua një gjendje keqardhjeje për mua. Më pas, më zgjati përpara supierën dhe tha:
- Mos ia vër re! Mos i kushto rëndësi se ashtu është ajo. Shkopinjtë dhe gurët mund të të thyejnë kockat, kurse fjalët... ah.! Ti e di, unë kam punuar këtu për gati njëzet vjet.
Ajo hapi derën që unë të kaloja.
- Njëzet vjet. Isha pak a shumë në moshën tënde kur kam ardhur këtu. Emri im i vërtetë është Halelujah. Kështu më quante mamaja ime. Por amvisa ime më thoshte gjithnjë “ Gloria” , e kështu më mbeti përjetë. Por është më i bukur ky i dyti.
Unë ndodhesha në mes te monopatit, që ndodhet në anë të shtëpisë, kur zonja Gloria shtoi:
- Është edhe i shkurtër si emër.
Atë cast më erdhi për të qeshur, ( imagjino sikur të quhej Halelujah) por ishte dhe për të qarë se, për qejfin e një gruaje të bardhë, të ta ndryshonte emrin si t’i vinte asaj për mbarë. Zemërimi atë cast më kontrolloi gjendjen. Duhet të lija punën, por problemi tashmë dihej se si. Mamaja nuk do të më linte të tërhiqesha për asnjë arsye të kotë.
- Ajo është një pjeshkë. Ajo grua është taman si pjeshkë.
Zonja Randall ishte duke thënë këto, kur ma rrëmbeu nga duart supierën plot .
Për një javë rresht, sa herë që zonja Kulinan më thërriste Marie, unë e vëzhgoja në fytyrë me kujdes. Ajo s’e vinte aspak re faktin që unë fillova të vij me vonesë dhe ikja më shpejt se zakonisht. Më shumë mërzitej zonja Gloria, sepse i ngatërroja herë pas here punët e kuzhinës. Së fundmi, mendoja se ajo do t’ia raportonte gabimet e mia asaj, por nuk e bëri asnjëherë.
Kurse Bailei më zgjidhi një dilemë. Më përshkroi me detaje listën e enëve të kuzhinës që ajo i kishte më për zemër e i ruante me kujdes. Dhe mbi të gjitha ishin një tabaka e bukur dhe një komplet filxhanësh caji ngjyrë të gjelbërt. Të nesërmen, ndërsa po vishej, zonja Gloria më urdhëroi t’i shërbeja zonjave cajin e përditshëm. Atëherë unë mora atë komplet dhe tabakatë që ajo i preferonte, për ta gëzuar. Por kur u afrova pranë tavolinës, dëgjova zonjën Kulinan:
- Maria!
Aq shumë u tremba, saqë u drodha dhe dy nga filxhanët e gjelbërt bashkë me pjatat e tyre më ranë nga dora drejt në dysheme.
Absolutisht, Baileit nuk munda t’i tregoj asgjë nga ngjarja, por sa herë që kaloj pranë vendit të ngjarjes, më kujtohet fytyra e saj e shëmtuar e shtrirë përtokë, duke qarë filxhanët e thyer. Më vjen për të qeshur me të madhe.
- Oh, mama...! Oh i dashur Gaud! Ishin nga Virxhinia. Oh, mama.. më fal...!
Zonja Gloria erdhi me vrap nga oborri, ndërsa gratë që nga divani bënë një rreth përqark saj. Zonja Gloria u pikëllua më shumë sesa vetë zonja Kulinan.
- Ajo theu kompletin e filxhanëve nga Virxhinia! Cfarë të bëjmë ne tani? – u qa zonja Gloria.
Zonja Kulinan ia dha më shumë ulërimës.
- Kjo zezakja e ngathët! Kjo zezakja e vogël e zezë dhe e ngathët!
Njëra nga mikeshat, ajo që e kishte fytyrën më të vjetër dhe të shëmtuar, u ul përtokë pranë asaj dhe tha:
- Kush e bëri këtë gjëmë Viola, Maria ishte? Kush?
Gjithshka aty po ndodhte aq shpejt saqë nuk mbaj mend sesi veprimet pasuan fjalët e shumta, por mbaj mend zonjën Kulinan të thotë:
- Emri i saj nuk është Maria, por Margaret!
Ndërkohë, më fluturoi para fytyrës një pjatë e madhe. Por pjata shkoi e ra drejt e në veshin e zonjës Gloria, e në cast ajo ia dha ulërimës.
Unë dola jashtë dhe derën qëndrore e hapa krejt, me qëllim që komshijtë të dëgjonin gjëmën.
Vetëm për një gjë zonja Kulinan kishte të drejtë: emri im nuk ishte Maria.

Nuk ka komente: