e shtunë, 7 mars 2009

Jonida Roli - Prozë


HARLISJA E NJE BURRI

Sot u mbushën plot gjashtë ditë, që kur kam vendosur të bëhem një shkrimtar. Shkrimtar?! Po, mendoj se po! Ndoshta një shkrimtar i rëndomtë, por më është mbushur mendja se shkrimtar mund të bëhet cdokush. Por si? Dhe përse?
Dy javë më parë, mora me qera një apartament të vogël në kryeqytet, në katin e katërt. Meqë jam i vetëm dhe askush nuk mund të më shërbejë për mirëmbajtjen, ky ambient është tërësisht një lëmsh. Drita tejet e pakët, një zymtësi e gjallë, por një gjë e ka të bukur. Në dhomën time të punës, pranë karrikes ku gjendem i ulur, më bën dritë dritarja. Jashtë saj, poshtë, gjendet një rrugë kryesore në të cilën vërtiten pa pushim njerëz. Njerëz të veshur mirë, të tjerë të veshur edhe në forma fshatareske, por c’rëndësi ka! Ajo rrugë është për të gjithë. Gumëzhitje, britma, sharje, gjithcka mund të dëgjosh nga këtu lart. Por, aq më bën! Duke parë poshtë, përpiqem të clirohem nga mendimet e mia e të përqëndrohem në ato lëvizje robotike të tyre, duke i vrojtuar, i pavëmendshëm, por me kureshtje.
Të kthehem sërish te cështja e shkrimtarit! Vendosa të bëhem shkrimtar, sepse kam në mendje ngarkesa të jashtëzakonshme për t’u shprehur, por, meqë askush nuk arrin të më kuptojë, vendosa t’i hedh në letër. Motivi? Eshtë vetëm një person! Maria! Ajo është, ose më mirë, ishte femra që më ka trazuar dhe shoqëruar që kur e kam njohur, deri më sot. Jam pothuajse 50 vjec dhe ajo akoma ka mbetur si hije në mendjen time, që kur, për herë të fundit e kam parë, para 25 vjetësh, kur, si pa të keq, më tha lehtësisht, se unë isha krejt i lajthitur nga dashuria ime për të, por që ishte e padurueshme. Prandaj, më braktisi brutalisht, pa më dhënë asnjë mundësi të dytë përmirësimi të karakterit tim, dhe u zhduk një herë e përgjithmonë. Por, cuditërisht, këto kohët e fundit më ka rikthyer në gjendjen e dikurshme të vetmisë, aq sa nuk më bën përshtypje që, nëse që prej dy javësh jam i mbyllur në shtëpinë e re, vërdallosem nëpër korridor e dhoma, e më pas ulem sërish pranë tavolinës sime, të mbushur me letra e lapsa, gota pijesh e cigare pa fund, me përpjekjen për të arritur që të shkruaj pikërisht atë boshllëk që më ka mbërthyer. Eshtë e pashmangshme figura e saj, aq sa duket sikur po shndërrohet në një sëmundje kronike në kujtesë, por që nuk mund të rikthej asgjë fizikisht. Prandaj, binda veten që, duke shkruar të gjitha mundimet e mia prej maniaku në këtë fazë të papërqëndrueshme, të mbyllem i vetëm me një dënim stërmundues dhe të clirohem nga ankthet e coroditjes vetjake, me të shkuarën e largët.
Marinë e mbaj mend si një vajzë naive, të cilën e dashurova që në momentin e parë të takimit tonë. Ishte një goditje e madhe për mua, të cilën atë cast, e bekova veten me mrekullinë më të madhe që më erdhi nga qielli. Por, e kundërta po ndodh sot, jo vetëm që po e mallkoj atë ditë, por dua që të më ndodhë një Mrekulli tjetër e Madhe, që të më japë një të shpëlarë të kujtesës, në mënyrë që të jetoj i qetë, pa këtë mënxyrë që më është kanosur.
Me këtë gjendje të rëndë psikologjie, i kapërdij fletët e bardha me të zezë, si të mos isha unë ai që po shkruan, por dikush tjetër brenda meje, i cili, më ka kërcyer nga kraharori dhe po vërshon duke shfryrë me shkronja e rrjeshta të tëra, një jetë të largët të rinisë sime. Nuk jam në gjendje të ndaloj më! Tashmë ky personi i dytë po bëhet një atlet i pandalshëm i të të shprehurit rrjedhshmërisht të asaj ngjarjeje me protagonisten kryesore, Marian. Aq i përqëndruar jam në këtë objektiv para letrave, sa nuk e vë re që gati po perëndon dhe unë nuk kam bërë lëvizjen më të vogël. Në mënyrë mekanike, shkëputem nga tavolina dhe shikimin e hedh nga dritarja e hapur, aty ku turma e njerëzve vazhdon të vërshojë në forma zik-zake, sikur dikush i ndjek nga pas. Papritur, vështrimi më has me një femër të hajthshme, të gjatë e me flokë të zeza. Një forcë brenda në shpirt më shtyn ta vështroj me vëmendje, lëvizjet e saj, konstruktin e trupit si dhe mënyrën e të veshurit që ajo mbart. Brof menjëherë në këmbë dhe përkulem më tepër nga ana e jashtme e dritares, me qëllim që të vrojtoj destinacionin e levizjeve të saj. Ajo sapo kaloi poshtë kokës sime dhe po largohet nga e majta e rrugës. Pa e kuptuar, truri im mori një gjendje mpirjeje, por, menjëherë, më dha vetëm një urdhër të prerë:” Zbrit poshtë dhe ndiqe”!
I zbrez me një frymë të katër katet e pallatit tim dhe gjendem menjëherë në rrugë, pikërisht në atë vendin ku pak caste më parë, e shkeli ajo, e Panjohura. Gjatë gjithë këtyre casteve, mendova vetëm për një justifikim, që ta ndalja. Nuk është më, nuk e shoh dot, e kam humbur nga sytë! U gjenda i pashpresë dhe me një keqardhje për veten, që nuk arrita në kohë për ta takuar. Gati gati, gjunjët nuk po më mbanin më nga zhgënjimi, megjithatë, nisa të vrapoj lehtë nëpër rrugë, mes njerëzve, se ndoshta nuk është larg. Frymëmarrja ime u bë e rëndë dhe më peshonte psikologjikisht, por nuk e humba toruan. Edhe pak, do të kërkoja edhe pak, sepse ajo grua e mistershme po më fuste në një qorrsokak të pa kuptimtë por tepër emotiv.
Vetëm shtatë metra larg meje, vështrimi im e zë të dalë nga një derë dyqani, më kthen shpinën sërish duke i hedhur hapat e saj lehtë dhe e palëkundur. Marr sërish vrapin dhe e arrij. I eci pranë me ritmin e hapave të saj, akoma pas shpinës dhe rimendoj justifikimin e ndaljes. Por, duke qëndruar pranë saj, ai konstrukt më rikujton dikë, një përngjasim i cuditshëm i asaj që unë kam 25 vjet që nuk kam arritur ta rindërtoj në mendjen time. Menjëherë, zgjas krahun dhe dorën e vë mbi njërin sup të saj:
- Më falni! - i them dhe cuditem!
Vajza e mistershme kthehet nga unë. Eshtë ajo, është pikërisht ajo, Maria ime e dikurshme. Befas, të gjithë muskujt e mi të trupit ngrijnë dhe nuk bëjnë asnjë lëvizje.
Ajo që po përpiqesha të ndërtoja në mes letrash të bardha në dhomë, befas m’u shfaq si të më kishte rënë nga qielli.

Nuk ka komente: