e mërkurë, 26 nëntor 2008

Nazmi Roli Poezi, Inxhirina Roli Ilustrimet



Nga libri i verës


1.

Ti s’ekziston, shpirt pothuaj,
Por je ajo që duhet të jesh:
E përhapur si vjeshta që s’është e huaj
Mbi kalldrëmet me grumbuj resh.


Vërtet mosqënie, vërtitesh e grish
Zjarrin e xixëllonjës, të sundojë
Frikën përpirëse që e ngrys
Shenjën e gjethnajës së pagojë.


E përkryer, por nuk je pylli
Me flokë mbrëmje, të prekesh
Si gjërat e tjera prej hiri,
Shpirt pothuaj, pothuaj të heshtësh.



Në dymbëdhjetë


Me diellin vënë kapele mbi krye
Bëra me gisht orën në rërën e bardhë të plazhit.
Saktësisht në dymbëdhjetë i vura
dy vetullat e mia.


Pastaj shkova të dremitem
nën lëkurën e një portokalli,
me dymbëdhjetë dhoma,
Pa e ditur se në cilën cilën do të ishte
E bukura e Dheut.







Thirrje



Tani që në rendin e sendeve njeriu është futur,
A vlen poezia? A vlen të qash më bukur?


Rrëzojeni ditën, këmbë të reja shpikni
skeletëve.

E vërteta është privilegj i dhimbjes së poetëve.


Vendi im që m’u bë i huaj



Vendi im m’u bë i huaj,
Cirret era portë më portë.
Nuk ka mbetur më c’të truaj.
Ah, kur s’kam një pashaportë!


Ndershmëria? S’ka c’më duhet,
Kallpi vlen më shumë në botë.
Kurvëria mirë paguhet.
Ah. Kur s’kam një pashaportë!


Në fyt laku i lakuar,
Politika u verboftë!
Me patkonj në këmbë e duar.
Ah, kur s’kam një pashaportë!


Dita gdhihet, nata ngryset
Me levere, turmë e skotë.
Bëhu pis, të jesh i pistë!
Ah, kur s’kam një pashaportë!




Një gjethe vjeshte që ra në xham





Dicka deshi të më thotë si mynxyrë,
Të pathënë ndonjëherë, se do të jepte shpirt.
Kali i Trojës natën në kopshte kishte hyrë:
Do të digjeshin në flakë mantelet,
vathët,
stolitë...



Patriarku

Poetit Lasgush Poradeci




Nga liqeni era fryn sa mund,
Si lirikë të troket në portë.
Ti nuk je, nuk del më me bastun,
Patriark me shpirtin si të foshnjës.


Hapi i fundit kur ra në kalldrëm,
C’i thua gurit që u plasarit?
Ka ndonjë që shpirti prapë i dhemb
Dhe në pezull muzgu i shndrit?


Brenga u brengos dhe hëna del,
Por gjëkundi nuk je më atje.
Flatra e një zogu prej kangjele,
Molla që s’u puth u kalb përdhe.


Ky curril e ky rrëfim lirik
Se nga vjen që rri kaq gjatë në kopshte.
Patriark me shpirtin biblik,
Si një shegë e plasur zemra jote.



Fabul në kohë breshke


Mbasi deklaroi publikisht që s’kishte më fe,
Se ishte ndarë nga e kaluara e vet,
Breshka pranoi kërkesën e gjembacëve,
Për t’u bërë deputet.


Ashtu calë-calë, e futur në koracë,
Doli nga ferra dhe lexoi në shi:
“Për këmbët e shtrembër
Bëjmë këpucë me porosi”.


Dhe shkoi nëpër rrugën e bishtit të dhelprës
Për t’u ngjitur në karrige.
Gjembacët vranë miza me duartrokitje.


Vec ishte i sojit të gjysmërrumbullakëve:
Gjithnjë e mundshme për rrokullisje,
Breshka hermafrodite.




Deti Mesdhe







Prej kohësh është mbytur imazhi i kthimit
të Uliksit,
Por akoma s’e di në c’brigje
E ka nxjerrë dallga:
Në jam në Sicili
A Spanjë.

Te Deum


Një vend i vlefshëm, vlera e të gjithë sendeve
Me shkëlqim të errët e plasaritje.
Ajo c’ka ka mbetur
Është pluhur.
Fjala është për sendet që janë
Më shumë se sende.
Ndërmjet tyre s’ka korridore, asnjë shtegdalje,
Dhe njeriun e zë nata në udhë.
Një send mbi krye,
Një send nën krye. Te Deum.
Kënaqësi të vogla shtypëse në duar,
Si të thuash të njëjtën gjë efemere,
Parfumi i dafinës, priftëresha të gabimit,
Rrëshirë, dihatje, c’ka instikti
I hardhucës të kujton ledhatimin.
Pushteti i sendeve mbi krye,
Nën krye. Arketipi. Vec gjaku i statujës
Ngjit shkallë errësire.



Akuarel




Pemët sonte përqafuar
Si të ishte dashuria.
Lidhur gjethe, lidhur duar,
Sa e marrë marrëzia!


Pastaj hëna do të dalë
Si një cupkë lozonjare.
Duke zbritur nëpër shkallë
Do të thyhet si gastare.

Në mjegull humbe, Margeritë


Një krah shpendi sec u shkund
Dhe brofi tutje, ra në pritë.
Kur vjeshta thuajse u bë shkrumb,
Në mjegull humbe, Margeritë.


Në kopshte bryma pastaj u var
Dhe heshtja paksa u trondit.
Me gjethet iku hapi i saj.
Në mjegull humbe, Margeritë.


Gjithë ëmbëlsinë që mbrëmja kish
Me yllin në teh u rrëzëllit.
Ajo dhe zjarri, dhe ngrica ish.
Në mjegull humbe, Margeritë.


Ku shkuan udhët, c’trajtë hollake
Mori hëna dhe u platit?
Nën thundër dreri e maskë nate,
Në mjegull humbe, Margeritë.

DIRISTA ROLI

POETE

INXHIRIANA ROLI

PIKTORE SUREALISTE

NAZMI ROLI

POET, SHKRIMTAR, ANALIST