Rivabella në Gallipoli
Valë ndër valë,
Fjalë pa valë.
Deti në mes të qiellit
Më shurdhoi në vesh.
Valë ndër valë,
Fjalë pa valë.
Rëra e ngjeshur në trup
Më mallëngjeu në lot.
Valë ndër valë,
Fjalë pa valë.
Gaforrja e shtrydhur në gji
Më pikoi drejt në sy.
Valë ndër valë,
Fjalë pa valë.
Hëna e plagosur me thikë,
Unë shëmbëlltyrë mbi krye si hi.
Valë pa valë,
Fjalë pa fjalë.
Unë bëhem agim,
Ti, plazh me shkumë i shplarë.
Atë e bijë
Kushtim
Ti je zheloz,
Unë e lumtur.
Rritesha,
Mjegull fëmijëria.
Për ty
Braktisej e ardhmja.
Kjo rrugë e përkryer,
Dimër e verë na ndajnë.
Këtë vjeshtë,
Pas gjymtyrëve të kalbur
Do të shpall festën e shiut.
Përqafomë e shoqëromë
Në altarin e vjeshtës.
Për të mos qenë kalldrëm i tharë,
Fëmijërinë time s’e ke humbur.
Kërkoje, fshehur
Në xhepin e djathtë
Të asaj xhakete.
Falma këtë mallëngjim!
Engjëll
Ngado që të marr frymë
Ti më qëndron në anë:
Nga e djathta.
Cdo mëngjes një lule maji
Zbret me kacavjerrje në ëndrra
Të rrëmujshme me parmakë
Lyer në të errët.
Nga e majta,
Druri i thatë përhapet
Në proverba latinë.
Zot, na ruaj
Nga perënditë e zhgënjimit!
Elegji për Katulin
Elegjia e pestë
Më kujton shqisën e dhjetë të ngrohtë,
Duke dëgjuar natën natyrore të komedive,
E pasqyruar te pemët,
Pemë të murosura
Te vargjet prej një mijë puthjesh.
Lojë fëmijërie
Ra hëna në pus të thellë.
Është lojë fëmijërie,
Që unë kam bërë kur isha e vogël
Dhe krenare.
Rënkimi i errët i kovës ngjitet lart
Dhe uji përgjysmohet një ditë
Vetvetiu.
Një natë tjetër shihet
Hëna me kujtesë të humbur.
Është rikthyer në origjinë vajze,
Me hapat e mia.
Atdheu
Djepi i zogut
Një ngjyrë
E shkatërruar me të tjerat.
Atdheu,
Dy duar të ëmbla
Të mbledhura bashkë
Në shëmbëllim foleje.
Vjeshta
Nuhat erën e gjetheve të vizatuara
Të pemëve hijemëdha.
Në kujtimin e hidhur
Si të jesh ngjyer befasisht
Në rrënjë, shokë me damarë të gjatë,
Që preken, nxiten fshehurazi.
Në forma të vrenjtura qielli,
Flori në buzë, mish i dridhur,
Krifë e artë e zhvendosur në eter,
Muaj të gjërë blu,
Nyje që na lidh.
Ule velën, velën, velën...
Për të zbuluar së fundmi lakoret
E ëmbla vjeshtore.
Veshje të freskëta që drithërojnë
Kurrizin,
Gufojnë nga brinjët shira të largët.
Vdekje indiane
Tamburet trokasin
Në ritëm.
Në skadim tymi
Në vatrën e shuar.
Jeta nuk është erë që trembet,
Pëshpëritje pa zhurmë,
Por hi zogjsh të përhimtë,
Që mbulojnë
Plagët në zemra të djegura.
Skenë
Shkrihesh
Në plate
Të një publiku të fshehur
Pas një magjie.
Unë të përziej
Me vallëzimin e bletëve,
Fluturake të lehta.
Dukesh një zog me krahë
Të shpalosur
Dhe unë jam ajri
Që të ngre në lartësi.
Nuk ka komente:
Posto një koment