e mërkurë, 18 mars 2009

Jonida Roli - Prozë




VIOLINISTJA

Kisha disa ditë që gjendesha i zhytur në mendime negative të ngjarjeve paraardhëse dhe nuk po arrija të vizatoja asgjë. Fantazia më dukej se kishte shteruar e nuk po dilja dot nga kjo gjendje. Prandaj, mora dosjen me vete të letrave të bardha dhe u nisa për në bregdet. Ndoshta, ajri i pastër do të më ndihmonte të dilja nga ky ngërc.

Pasi bëj një shëtitje të shkurtër, ulem mbi rërë, pak në distancë nga deti dhe ndërkohë, hap veglat e mia të vizatimit. Me një lëvizje të beftë, ngre kokën dhe shoh nga larg, atje tej, në bregdet, një siluetë vajze me flokë të gjata e të errëta. Ajo ka veshur një fustan të lehtë e të bardhë, nga ku, duken qartazi linjat e saj të holla. Ecën ngadalë, e zbathur dhe këmbët i njomen nga valët e detit që shkumëzohen përmes gishtave të saj. Lëviz aq ngadalë dhe mendueshëm me shikimin të ulur poshtë, pa e pasur mendjen aspak se, pak distancë larg saj, unë po e vrojtoj me vëmendjen më të madhe. Habitem kur shoh se, në njërën dorë, ajo mban një kuti të madhe. Arrij ta dalloj atë përmasë dhe mejëherë më shkon në mendje të kuptoj se cfarë është aty brenda. Por, ajo, në një cast, ndalon. Përkul pak trupin dhe kutinë e vendos mbi rërë të thatë. Më pas, me kujdes të madh e hap atë, dhe nga brendësia nxjerr një violinë të kuqërremtë. Pasi e merr në dorë atë me delikatesën më të madhe, si të ishte prej kristali dhe shumë i vyer, ajo mbyll sërish kutinë dhe e largon atë nga vetja.

Nuk arrij ta besoj! Ajo është një violiniste! Pas një frymëmarrje të thellë, ajo e vendos atë vegël nën mjekrrën e saj dhe nis të luajë tingujt e parë. Oh, Perëndi! Tashmë ndihem i trullosur! E panjohura, me atë siluetën e saj të bardhë, nën ndricimin e perëndimit të diellit, më krijon një figurë të ngjashëm me një Perëndeshë, të cilën, duket sikur po më bekon me atë skenën e mahnitshme. Përpiqem të strukem në vetvete, nga kujdesi se mos ajo më sheh dhe më pas, do të detyrohet të ndalë nga rënia e asaj vegle po aq delikate sa vetë ajo. Violina i përcon tingujt e bukur deri në shpirtin tim, duke depërtuar thellë, ndërsa vajza bën ecejake nëpër valë duke u përkulur, aq sa, gati-gati vallëzon e vetme, por duke shoqëruar muzikën që ajo po luan. Ndërsa unë, hipnotizohem menjëherë. Marr fletët e bardha menjëherë dhe hedh skica pa fund me figurën e asaj Perëndeshe të muzikës. Por, nuk mund t’i rezistoj! Ngrihem me ngadalë dhe i shkoj pas me hapa të vegjël e në fshehtësi, duke i qëndruar pas shpine, me qëllim që të mos më shohë. Ajo është në ekstazë të papërshkrueshme të të ndierit të muzikës që vetë po luan. Por dhe unë tashmë jam i tëri i përfshirë në atë gjendje të saj. Mbaj frymën duke vëzhguar tërë lëvizjet, që vështron detin dhe gishtat i lëviz harmonishëm midis trupit të violinës. Muzika më huton dhe qëndroj i palëvizur derisa ajo ndal dhe kthehet nga unë.

- Oh, të më ndjeni! Po ju dëgjoja me vëmendje të madhe! – i them i ndier në siklet.
- Më trembët! – më përgjigjet lehtë!
- Nuk doja! Por ju, po luanit aq bukur në violinë, saqë unë nuk munda t’i rezistoj! Jam i tëri i trullosur, aq sa nuk di c’të them. Ndihem tërësisht i bllokuar.
- Ju lutem, mos u largoni! Jam një piktor dhe isha i ulur atje tej, kur ju erdhët këtu dhe ju kam ndjekur tërë lëvizjet që bëtë gjatë gjithë kohës. Doni t’ju tregoj skicat që realizova ndërkohë që ju erdhët këtu.
- Vërtet? Më keni skicuar? Në kaq pak kohë?
- Muzika dhe vallëzimi juaj, më depërtuan në shpirt dhe menjëherë ula kokën për të vizatuar këtë mrekulli.
- Nuk më besohet! – pëshpëriti ajo.
- Nuk ka rëndësi! Ju lutem, vazhdoni të luani akoma për mua!
- Kjo është e pamundur!
- Përse e mendoni kështu?
- Sepse, më zutë në pabesi dhe jam akoma e hutuar! Po largohem më mirë!
- Ju përgjërohem, mos u largoni nga unë! Lermëni të jem një spektator i juaj, ashtu sic ishte deti, pak më parë!
- Keni të drejtë, e dua detin prandaj vij shpesh këtu që të luaj me violinë.
- Atëherë, unë po largohem në vendin tim dhe po ju lë të qetë të vazhdoni koncertin tuaj.

Teksa largohem duke i kthyer shpinën dhe ulem në vendin tim, ajo hap sërish kutinë e violinës. E vendos brenda atë vegël të vyer dhe largohet, por këtë herë duke nxituar dhe këmbët e saj, në kontakt me ujin e valëve krijojnë një ujëvarë të vogël nëpër gishta. Ndërsa era, kapricoze, i valëvit fustanin e hollë prej mëndafshi.

E tërë figura e asaj vajze më risjell në mendje mishërimin e Venerës së gjallë, së cilës, sapo i zbulova një tjetër pasion të madh: Muzikën. I rikthyer sërish në vetmi, nis të shpalos letrat e mia, por këtë radhë, i vendosur për realizimin e veprave të mia mbi figurën e Perëndisë së re në tokë: “Femrën”!

e martë, 10 mars 2009

Jonida Roli - Prozë


MACJA E ZEZE



Një ditë, tek po ecja në rrugë, para syve më doli një këlysh i vogël maceje, pus i zi, por që sytë e verdhë i shkëlqenin. U gjendëm përballë njëi-tjetrit dhe ajo qenie e vogël nuk i frikësohej pranisë sime, por dukej sikur më thoshte: “Më merr me vete”!
Unë dhe gruaja ime kemi vite të martuar, por akoma nuk kemi një fëmijë tonin. Megjithatë, ajo që na lidh shumë, është dashamirësia që kemi të dy për kafshët shtëpiake. Dikur kemi mbajtur një qen, por që nuk zgjati shumë dhe ngordhi për arsye natyrore. Pas tij, nuk shkeli asnjë kafshë më në shtëpinë tonë të madhe. Por sot, mendova t’i bëj një dhuratë të vogël asaj, këtë mace të vogël e të zezë. Jam i sigurtë që do t’i pëlqejë dhe do ta dojë këtë kafshë të vogël e të vobektë. Pa marrë parasysh të këqijat që do të ndiqnin më pas, si rredhojë e kësaj ngjyre që kjo kafshë mbarte ne trupin e vet. Asnjëherë, në jetën time, nuk i kisha besuar bestytnive të maceve të zeza, por ngjarjet pasardhëse që do t’ju tregoj, më bindën totalisht në vërtetësinë e tyre.

- Do ta quaj Aries !– më tha Ana e befasuar, sapo e solla në shtëpi macen.
- Më pëlqen ky emër! – iu përgjigja unë me kënaqësi të madhe, për faktin që ajo e pranoi menjëherë këtë pjesëtar të ri të famijes sonë.
Kohë më pas, m’u krijua një gjendje ankthi dhe lëmshi. Fajin ia vura zemërimit që më ishte mbledhur gjatë ditëve, nga keqfunksionimi i punës, sepse, profesionalisht, kisha arritur pothuajse majat e suksesit, kur papritur, një ndodhi krejt e kotë, më rrëzoi në shumë aspekte. Megjithatë, e kuptoja se dicka nuk po shkonte por akoma nuk kishte ndodhur. Ishte përtej fuqive të mia kontrolluese dhe dukej se mendja po më humbiste. Ana vërtitej nëpër shtëpi e lumtur dhe nuk e kuptonte aspak këtë gjendje timen, por as unë nuk i lashë të kuptonte gjë. Më në fund, vendosa të shtrihem dhe më zuri një gjumë i rëndë.
Në zemër të natës, ëndërroj sikur gruaja ime, Ana, po ecte e vetme në rrugë, kuturu, në mes të ditës, e paqartë në destinacionin e saj. Por, ajo kishte një ndryshim të madh në trupin e saj. Ishte shtatzënë dhe dukej qartë që kjo shtatëzani ishte në moshë madhore. Gjendej e vetme dhe trupi i lëkundej ndërsa ecte sa në një kryqëzim, në tjetrin, të qytetit. Ndërsa unë, përpiqesha ta ndiqja nga një distancë e largët, por nuk mundja ta arrija. Ajo ecte aq shpejt, saqë më dukej sikur gati-gati po fluturonte, ndërsa mua, më kishte zënë një ngërc i madh dhe mezi hidhja hapat. Ajo nuk e kuptonte që kalonte mes një mori të gjatë makinash, gati për të rrezikuar, madje, as që i bënin përshtypje fare këto pengesa. Isha i frikësuar, i tmerruar, por jo vetëm për të, por edhe fëmijën që mbarte me vete, atë fëmijë që kishim kaq kohë që e prisnim me ankth. Nuk mundja! Nuk mundja ta arrija!
Por, sapo unë gjendem i lirë që të lëviz, ajo më zhduket në një kthesë e më pas rishfaqet. Eshtë një rrugicë ku nuk shkel asnjë këmbë njeriu. Ana është e pavetëdijshme në ecejaket e saj, duket sikur është në përhumbje. Befas, përpara i shfaqen tre mace të zeza, që dalin nga hici, ndoshta janë mace rrugace të asaj lagjeje. Ajo i sheh por nuk u frikësohet, Ai që u frikësohet, jam unë dhe përpiqem t’i shkoj pas me vrap. Macet e zeza duken të egërsuara dhe i presin rrugën Anës. Madje, njëra nga ata, i kalon nëpër këmbë dhe e ngatërron derisa ajo rrëzohet për së prapthi dhe koka i përplaset në tokë. Atë cast, më zë paniku dhe ulëras.
- C’farë ke? – më pyet Ana dhe më zgjon menjëherë nga ai panik.
- Një ëndërr! Një ëndërr e frikshme! – i them.
- Më dëgjo me kujdes, Ana!
- Je i trembur!
- Macja që solla është e rrezikshme! Eshtë tersndjellëse!
- Je në vete? - më pyet e hutuar.
- Mos u beso këtyre bestytnive, ajo është thjesht një kafshë e vogël. Eshtë një gjallesë. Si mund të jetë tersndjellëse?
- Ana, ti e di që as unë nuk u besoj këtyre, por kjo ëndrra, kjo ëndërr më ka fandaksur. Ato macet e zeza…!
- Qetësohu, i dashur! Eshtë një ëndërr dhe nuk ka të bëjë aspak me realitetin. Unë e kam për zemër Ariesin dhe nuk dua ta braktis. Është gjynah dhe dua ta mbaj, më kupton?
- Po, Anë, ke të drejtë! Dua të të pyes për dicka tjetër!
- Më thuaj!
- Ëndërrova sikur ishe shtatzënë!
- Unë, shtatzënë? Oh, sikur të ishte e vërtetë! Ti e di sesa e dëshirojmë të dy këtë!
- Pikërisht për këtë dua të të pyes! A mos ka të ngjarë të jesh këtë përiudhë?
- Është e pamundur, i dashur, duhej ta kisha kuptuar. Megjithatë, për ta vërtetuar, nesër paradite do të shkoj menjëherë për një vizitë rutinë. Por tani qetësohu dhe të flemë sërish. Nesër na pret një ditë e gjatë dhe e ngarkuar.
- Ke të drejtë, zemër!

Të nesërmen, ndërsa largohem, i rikujoj Anës që të mos harrojë vizitën për tek mjeku. Ajo tund kokën e saj lehtë dhe vazhdon përkujdesejn ndaj maces sonë të vogël e të zezë. Teksa shkoj në zyrën time të punës, nuk më shqitet nga mendja ëndrra e natës që shkoi, bëhet e pashmangshme dhe përpiqem që ta rilidh tërë ngjarjen virtuale, me aq sa mundja të kujtoja. Ishte e kotë që të bindja veten se bestytnia e cështjes së “ maceve të zeza”, nuk ishte e vërtetë, por po prandjeja se dicka vërtet do të ndodhte në jetën tonë. Megjithatë, mblodha forcat dhe hyra në zyrën time që të nisja një ditë të mbarë.
Pas pak bie zilja e telefonit:
- Po! – përgjigjem.
- Zemër! – përgjigjet nga tjetër e telefonit Ana me një zë kumbues dhe metalik.
- Të lutem, më thuaj, a ke ndonjë lajm të mirë? - e pyes tërë ankth.
- Është e vërtetë, jam shtatzënë prej 17 ditësh! Mjeku sapo e konfirmoi që së shpejti do të bëhemi katër vetë në shtëpi!
- Katër vetë?
- Po, katër bashkë me Ariesin!
- Ah, po! E harrova atë kafshë! Është një mrekulli, Ana! Sonte do ta festojmë. Do të thërrasim miqtë tanë, që t’ua themi edhe atyre. Por jam i mrekulluar që edhe ëndrra e mbrëmshme ishte një parandjenjë e madhe që kjo ishte e vërtetë. Ana, nuk dua të jem skeptik, por bëj kujdes, gjatë gjithë ditës. Mos harro, që tani je vetë i dytë brenda teje dhe për mua jeni më shumë se të rëndësishëm, më kupton se cfarë dua të të them?
- Patjetër, baba! Do të jem shumë e kujdeshme! Po e mbyll tani dhe shihemi pasdite!
Ah, baba! Kjo fjalë që sapo shprehu Ana, më tingëlloi sa i bukur, aq edhe i cuditshëm! Por, u mrekullova nga lajmi dhe atë cast harrova gjithcka kisha menduar më parë! Dhe vazhdova i qetë punën time rutinë, të përditshme. Njëkohësisht, lajmërova miqtë e mi më të mirë për të darkuar sëbashku, në shtëpinë time me vrullin e madh të shpërndarjes së një surprize të madhe familjare. Të gjithë më mbështetën dhe u treguan të gatshëm për ftesën time.
Dola pak më shpejt nga zyra dhe më hipi një dëshirë e fortë që të shkoja drejt e në shtëpi që të përqafoja fort Anën time dhe të ndihmoja atë në përgatitjet. Mora makinën dhe u nisa. Distanca nga puna për në shtëpi është goxha larg. Kohë më parë morëm një vilëz të bukur me kopsht përpara dhe me pemë frutore përqark, në periferi të qytetit. Vetë Ana e zgjodhi, sapo unë ia tregova herën e parë, ajo u dashurua me atë vend dhe u vendos menjëherë. Do të ishte shtëpia jonë! Ajo vetë u përkujdes për kopshtin dhe pemët frutore. Donte ta quante atë parajsën tonë të vogël. Dhe ashtu u bë! Dhe, sot, jam shumë i lumtur për zgjedhjen e saj! Por, për të mos mjaftuar me kaq, edhe Ariesi ynë, që ishte pjesëtarja më e re, mund të ndihej shumë mirë në këtë ambient, kaq të përshtatshëm për një kafshë. Aq më tepër, që Ana, ishte kaq e ndjeshme me këtë kafshë, dhe përkujdesej sikur të ishte një fëmijë.
Gjatë kthimit, duke përshkuar rrugën kryesore që të con në kthesën e fundit, pranë shtëpisë, papritur, para rrotave të makinës më shfaqet një mace e zezë. E njoh menjëherë, është pikërisht, Ariesi ynë, sepse, ka të varur qaforen e verdhë që i bleu para disa ditësh Ana. Por, kapërcimi i saj nga njëra anë, për në anën tjetër, ishte aq i shpejtë, saqë, mezi arrij të frenoj makinën dhe timoni më ikën nga duart duke përfunduar në cep të rrugës. “ Të paktën, arrita të ndaloj këtë makinë!” – them me vete dhe marr frymë lirisht.
Ndërkohë, kujtohem për macen e zezë dhe brof nga makina. Ajo është pikërisht aty! Pranë rrotës së pasme të makinës sime dhe më vështron si e ndier në faj. Më vjen keq sepse, ndoshta e kam trembur dhe i afrohem ngadalë.
- Eja, Aries! - them dhe i zgjas dorën pranë turirit, duke u përkulur.
Sapo hedh dhe hapin e fundit, ajo më hidhet përpjetë në fytyrë dhe më hap një plagë të thellë në fytyrë me thonjtë.
- E mallkuar! Djall i mallkuar! – ulëras dhe e shtyj me një forcë aq të madhe, saqë e përplas të gjorën pas makinës. Ajo bie përdhe dhe nuk lëviz më. Ndërsa unë, përpiqem të ngrihem. E marr macen me vete, e fus në makinë dhe nis rrugën për në shtëpi.
Ndaloj në oborr makinën dhe zbres me vrull. Përqark është mbushur me gjethe të pemëve dhe një fllad i fortë krijon një re në hapësirë me ato sikur të ishin duke lozur. Dera kryesore e shtëpisë është e hapur, por Ana nuk gjendet jashtë. Marr vrapin dhe hyj brenda.
- Ana! Ana! – thërras por nuk marr asnjë përgjigje.
- Ana, e dashur, ku je? – përsëris, por këtë herë i mbytur në ankth të madh.
- Ku ndodhesh? Më dëgjon?
Përqark është një qetësi absolute. Vetëm era e lehtë që vërtitet nëpër hapësirat e dritareve, bën një zhurmë të këndshme sikur është duke kënduar një këngë të trishtuar. Por, që mua, më shton më shumë ankthin për mosgjetjen e gruas time në shtëpi.
Kërkoj në tërë dhomat, por ajo nuk gjendet në asnjë vend. Më pas, hyj në banjon kryesore dhe shoh një siluetë femre në ngjyrë të rozë që qëndron e palëvizur.
- Ana! E dashur! Cfarë të ka ndodhur? – ulëras dhe rend pas asaj. Oh, Perëndi! Është pikërisht ajo, Ana ime, dhe ajo është e shtrirë mbi dysheme. Nuk lëviz por, flokët e verdhë i janë shpërndarë nëpër pllakë të dyshemesë dhe sytë i ka të mbyllur. Pas shumë tentativash dhe ulërimash, përpiqem që ta ngrej nga ai vend i kobshëm. E tërë dyshemeja është e qullur me ujë dhe gati-gati rrëshkas edhe unë bashkë me të, duke u zvarritur, me lotë në sy.
Ajo kishte vdekur! Kishte shkarë nga lagështia e dyshemesë duke përplasur kokën pas vaskës dhe kishte vdekur në vend. Dhe, atë cast, e tërë bota u përmbys mbi kokën time, sikur të isha unë ai që po e mbante pezull tërë rrumbullakësinë e saj.
Sapo kisha humbur gruan time të bukur dhe fëmijën tim. Për shkak të asaj kafshe të zezë, që nga dita që e futa në shtëpinë time, më dukej sikur Djalli brenda saj, kishte shkruar skenarin mortor të famijes sime. I dëshpëruar sic isha, shkova në makinë dhe në pavetëdije të plotë, hapa me një forcë të jashtëzakonshme që më buronte nga vetvetja, një gropë të thellë në dalje të shtëpisë sime dhe kafshën e vdekur e varrosa atje, me frikën se mos, edhe e ngordhur sic ishte, të më shkruante edhe mua këtë fat të keq. Më pas, u ktheva në shtëpi dhe u gjynjëzova para bukuroshes sime që dukej sikur po flinte e qetë, por e ftohtë akull.

e shtunë, 7 mars 2009

Jonida Roli - Dramë

Ç’ ËSHTË JETA PA TY?




PERSONAZHET:

DJALI: Personazhi kryesor, i arratisuri nga burgu.


OFICERI DHE USHTARËT E TIJ: Përndjekësit e djalit, nga fillimi deri në fund të dramës.

BURRI: I burgosuri në qeli.

ARIXHIU: Babai i vajzës.


VAJZA: Bedrana, personazhi i vetëm femër dhe kryesori në dramë.


TË TJERË: Dasmorët arixhinj, banori i zonës ne dialog me oficerin dhe kalimtari.

BAZUAR NE NJE NGJARJE TE VERTETE, NDODHUR RRETH VITEVE 1984, GJATE REGJIMIT KOMUNIST, NE SHQIPERI.


AKTI I


SKENA I


( Në një sallë-skenë me dritë të zbehtë dhe të pistë, dy ushtarë mbajnë të lidhur për krahësh djaloshin, ndërkohë që oficeri, me një fytyrë të xhindosur e të rrudhur, i afrohet me hapa të mëdha).


OFICERI: Mbajeni fort këlyshin e vogël, më ka hipur një nerv i keq për ta ndëshkuar! ( i ngre mbi krye shkopin, në formë kërcënues).

DJALI: Të lutem! Nuk jam këlysh, as qeni, as ujku! Por si mund t’i frikësoheni një këlyshi të vogël si unë, ma shpjegoni dot?

OFICERI: Lidheni ju thashë, mos e lërni të bëzojë, për këtë punë jeni ushtarë, s’e shihni që po ju ikën nga duart? Dua ta ndëshkoj, edhe mirë madje. Këtë orë të tijën duhet ta mbajë mend për tërë jetën...!


DJALI (ndër dhëmbë): Jo, nuk mund t’i rezistoj dot kësaj kasaphane. Qenke një bishë e djallëzuar, plot urrejtje. Ju lutem më lironi, mos më lini në dorë të këtij nazisti, mos e lejoni këtë egërsirë të bjerë mbi mua, ju lutem..! Për hir të të Lartit! ( ushtarëve)

( Përpiqet që të shkëputet nga ata duke u zvarritur).

OFICERI: Do të të persekutoj tërë jetën, e kupton? Ngado të shkosh, këmba – këmbës do të ndjekë hija e rëndë e këtij kujtimi...!

DJALI: Kjo hija jote qenka vërtet e rëndë, sa nuk u duroka dot përpara syve të mi! E rëndë dhe e zezë porsi nata e pustë, plot mizori e krime në zemër të saj!

OFICERI: Hesht! Edhe guxon të më kundërpërgjigjesh? Na, një grusht buzëve që të mos i përdorësh më!

( e godet fort dhe djali rrëzohet në tokë, duke u rrëshqitur nga duart ushtarëve.)


DJALI: C’më bën mua një grusht! Ose më mirë, më ndihmon më shumë që t’i rezistoj egërsisë tënde, një kafshe të pashpirt, një dritëzi i pashpresë në shpëtimin e shpirtit tënd!

NJË USHTAR: Zotëri, a ta zhdëpim me dru njëherë?


OFICERI: Jooooo.. ( cirret)! Ju vetëm mbajeni, atë e di unë. As mos e lidhni, e dua të lirë të më përgjigjet sepse qenka trim zogu i njomë, nuk i bëka përshtypje as dajaku as kërcënimet. Por shihni sa i tromaksur është, shikimi iu verbua nga frika, loja ime po bëhet më e thellë në këtë mënyrë, dhe e dini cfarë? Po më pëlqen kështu...


DJALI: Nuk jam verbuar nga frika, mos e mendoni aspak këtë, nga urrejtja po, për këtë jam krejt i qartë! Ju keni Djallin në vend të shkëlqimit të syve tuaj, dhe nuk e kuptoni c’po bëni! Prandaj ju lutem, më lini të lirë, lermëni të iki me vrap e nuk do ju sjell asnjë problem më pas....


OFICERI: Ahaha.. e dëgjoni c’thotë këlyshi? Do të arratiset! Urdhëri im është që të errësoj jetën tënde sonte, për akuzat që ke kaq është pak, por sa keq që je kaq i njomë dhe ke rënë në duart e mia të hekurt e të dhunshëm.


DJALI: Më keni ngatërruar, jua thashë edhe më parë! Nuk kam bërë asgjë të keqe, asnjëherë! E shumta, i kam rrëmbyer ca zarzavate baces së komshiut, por kjo ka ndodhur kur kam qenë i vogël.


OFICERI: Po tallesh me mua? Hesht! Përndryshe të bëj sërish të heshtësh, por këtë radhë përgjithmonë! Si mund të gabojë hetimi shtetëror? Ti po më gënjen ashtu si dhelpra pulat? Nuk të mjafton egërsia ime? Apo mos po të dukem gjë pulë unë?

DJALI: Jo jo, ju betohem, nuk jeni pulë, aspak! Më keq, ngjani me një kodosh me pupla të shpërndara! Por, po ju them të vërtetën! Më keni ngatërruar, keni zënë njeriun e gabuar, nëse ka ndodhur një krim, nuk jam unë ai që duhet të paguaj! Ju lutem.... mos më goditni më...


OFICERI: Ushtarë, menjeherë mbylleni në birucë! Qenka i pagdhe këlyshi i dhelprës. Mbylleni mirë dhe kujdesuni që t’i mohohet deri dhe rrezja e diellit. Kështu, le t’i vijnë mendtë e të kuptojë që me shtetin nuk bëhet shaka!

DJALI: .....jooo....ju lutem, ju përgjërohem! Po më sakrifikoni më kot! Vetëm mëshira mund t’jua zbutë zemrën! Nuk jam unë ai që kërkoni!

( e tërheqin zvarrë në tokë dhe e mbyllin në birucë).



SKENA II


( Në birucë gjendet edhe një tjetër i dënuar, i lidhur me zinxhirë përqark krahëve).


DJALI: Na ruaj mendjen o Zot, si të kanë katandisur në këto forma të egra? C’ke bërë vëlla, ke vrarë Princin e Spanjës?


BURRI: Më keq akoma! Lëre më mirë mos më pyet! Të paktën veprën time e realizova, e cova deri në detajin e fundit timin. Kisha një mllef kaq të madh brenda meje, një mendim makabër më ka torturuar për një kohë të gjatë, e kam bluar në këtë kokën time të madhe kaq shumë, por tani jam i cliruar. Zinxhirët nuk më dhembin aspak në krahasim me atë torturë që kam kaluar! Më në fund e bëra... e bëra ashtu sic e doja të ndodhte...!


DJALI: C’paske bërë more ditëzi?


BURRI: E vrava... e vrava..! ( heshtje për pak caste, ai ul kokën dhe duket se mendon). Ia dorëzova shpirtin e tij Djallit, sepse Atij i përkiste. Le t’i digjet në flakërimën e qiejve të mëkatarëve tani. Ndërsa ky imi? Ah...! Iu rikthye paqes... më kupton? Tortura mbaroi, nuk e ndiej më. Ajo që më gërrynte cdo ditë e më shumë, ai mendim i hakmarrjes në zemër, u zhduk!

( këtë radhë ngre sytë lart dhe shikimi i përplaset me tavanin e birucës).


DJALI: Oh Perëndi, po më tremb..(zgurdullon sytë)! Ke vrarë një njeri e më duket sikur ke vrarë një fshat të tërë. Por fundin tënd më të tmerrshëm nuk e kishe llogaritur më parë?


BURRI: Jo... s’e ke kuptuar ende gjendjen time! Biruca nuk është asgjë për mua, as vdekja nuk më tremb më, kam kaluar më shumë tronditje në shpirt sesa mbyllja e syve në përjetësi. Llogaritja ime është aq e saktë, sa fundi i ngjarjes nuk më shpëtonte dot. Tani jam kaq i qetë shpirtërisht, sa edhe i lidhur jam në gjendje të marr frymë lirisht, zemra që ishte shndërruar në gur të zi, tani po rimerr formën e saj.


DJALI: Ma keqësove më shumë gjendjen shpirtërore... oh..., mos thuaj më asgjë...! Madje, më ndihmon dot të dal që këtu? Jam i burgosur gabimisht, nuk kam bërë asgjë të keqe, e nëse nuk dal dot sonte, nëse kjo natë e thellë nuk më ndihmon, do të kalb rininë time përjetësisht këtu. Hija e tij e rëndë do më shkatërrojë cdo ditë nga pak. Më ndihmo të lutem...


BURRI: Unë të paktën qëndrimin tim e kam hak, e meritoj të ndëshkohem, por ti jo, mos e dhëntë i Larti, nuk të lejoj të presësh mëngjesin tënd djaloshar në këtë kolibe të zezë... eja këtu afrohu, kam një plan!

( djali arrin të arratiset nga biruca dhe vrapon nëpër natë për t’u larguar sa më shumë të mundet.)


BURRI

( në monolog )


Vrapo djalosh, shpëto zemrën tënde, jo si unë, që sapo shkrova me dorën time fatin po aq të zi sa janë këto mure që më kanë mbërthyer. Ah... këto vargje janë i vetmi ngushëllim imi tani:

Oh... sikur të isha i madh
Sa hidhërimi im, a më pak nga
C’kam emrin,
Ose të mund të harroja dot c’kam qenë,
Ose të mos kujtoj c’jam tani!

Agoninë do ta duroj deri mëngjesin e fundit timin. Më pas, në qetësi do ta preh shpirtin tim në krahët e qiellit e atje le të gjykohem me drejtësinë Hyjnore. Me dëshpërim të madh shpresoj më kot që, mëkatin e madh që mbaja në shpirt e në duart e ndërgjegjes, ta fshij nga vetja. Sot do t’i lutem mendjes të qëndrojë e ftohtë dhe ndëshkimin ta durojë. E ëmbël si një dehje nga vera e kuqe të më ngjajë, kështu do ta pres, deri në të gdhirë, ashtu si qengji në pavetëdije flijimin, por me zemër të urtë, sa edhe të copëtuar.



SKENA III

( Duke u zvarritur nga lodhja e arratisjes së pafund, ndalet në një cep të skenës, duke u përulur në gjunjë dhe duke marrë frymë me vështirësi. Në skenë pak dritë e zbehtë e kaltërt , si të ishte vetëm drita e hënës ndihmesë e tij )

DJALI – MONOLOG

Sa ditëzi paskam qenë. Akoma nuk po e besoj se ajo që sapo kam lënë pas, të ishin orë të jetës sime. Nuk gjendet askush përqark meje të më japë një shuplakë të fortë fytyrës, se ndoshta jam në ëndërr të thellë. Jo....! Aspak! Sepse dhimbjet e kockave më sjellin në vete!
Oh...., c’kujtim të zymtë kam në mendje! Hija e tij e rëndë nuk më hiqet nga mendja. Me këtë dritë të zbehtë hëne e midis këtyre shkurreve, më duket sikur ajo fshihet diku.... apo po më ndjek hap pas hapi...?! Të lutem mendje, eja në vete e mos më braktis, tani duhet të gjej një drejtim të sigurtë para se të cmendem nga fantazmat e natës...!
( përshpërit me veten duke ecur:)

Ah... liri, e ëmbla dhe e shtrenjta liri!
liri , e madhja liri....
si mund të bëj pa ty...!


ARIXHIU: Ej ..., ti bir njeriu, c’bën i vetëm nëpër rrugë, ah qenke një djalosh i njomë....! Me ngadalë, se po të rrëshqet fare fryma nga trupi. Duhet të kesh vrapuar shumë!

DJALI: Oh... më trembët! Më duket se po ma nxirrni ju frymën me këtë formë të afruari. Të them të drejtën, kam rendur shumë por as vetë nuk e di se ku kam mbërritur. A më thoni ju lutem se ku ndodhem?

ARIXHIU: Në fshat bir, eja me mua, je akoma i trembur si zogu para mustaqeve të gjata të macokut të zi ! ( qesh me të madhe)

DJALI: Isha i humbur, prandaj dhe jam i trembur, por tani që po shoh dhe fytyrën tuaj zotëri, oh... ju qenkeni dhe i zi....!


ARIXHIU: Ja dhe sytë e të riut, edhe në këtë errësirë e dallon ngjyrën e lëkurës... epo arixhi jam, por jo i zi si pusi...!


DJALI: Kam humbur vërtet, nuk po gjej drejtimin e udhëve. Kurse ju bëni shakara!


ARIXHIU: Eja, sonte do të të ftoj në shtëpinë time, por me një kusht, të sillesh shumë mirë....!


DJALI: Ju betohem! Do të jem si qengj i urtë, vetëm mos më lerni vetëm!


ARIXHIU: Qetësohu djalë, ja të mbaj pak nga supet se po shoh që këmbët po të lenë në baltë.

( e zë për krahu dhe e ndihmon të mbështetet )

DJALI: Zotëri... ju falenderoj për bujarinë tuaj, po tregoheni një engjëll mbrojtës për mua... por një engjëll i zi dhe mjekërr me kacurrela ama! Më falni për shakatë por jam i gëzuar për ndihmën tuaj..!


ARIXHIU: S’ka gjë, nuk mërzitem nga lojërat e tua të fjalëve djalosh, madje, mund të më thuash plot të tilla, derisa të arrijmë në kasollen time atje tej, buzë lumit!


DJALI: Oh... nuk po mundem më! Po më pushton bota ëndërrimtare, aq e bukur. Mjafton të mbyll pak sytë dhe, nga kjo errësirë e thellë e natës, përqark më shfaqen flakërima ngjyrash të ndezura, për të shpërthyer në botën magjike të....
... nuk po e kuptoj, më ka zënë gjumi apo jam akoma syhapur?


ARIXHIU: Bir, po ëndërron, por syhapur. Si ia bën?


DJALI: Ngaqë nuk mundem të fle, kam frikë se mos më shfaqen ato skena që sapo lashë pas!


ARIXHIU: Mos e ki merak. Edhe unë ëndërroj gjëra të bukura gjatë natës, por si përfundim, në mëngjes më zgjon mendimi i një dite të lodhshme pune, kështu, i harroj menjëherë ëndrrat e bukura.
Edhe pak e mbërritëm. A më the se nga po vjen? Jo, më duket se jo... oh, kam filluar të harroj shpejt! Të më falësh por mosha i ka këto...!


DJALI: Jo, nuk ta thashë. Nga ferri po vij zotëri! Po këtë vend e ke ëndërruar ndonjëherë?


ARIXHIU: Mos e dhëntë.... jo, asnjëherë. C’po më thua?


DJALI: Ndërsa unë, në të kundërtën e ëndrrës, ferrin e jetova zgjuar. Por do të doja shumë të ishte thjesht një ëndërr që, kur të zgjohesha, të mos i ndieja këto dhimbje ferriale...

( arixhiu qesh me të madhe)


... jo jo, mos qeshni, ju lutem! Por këtu qenkemi si në fund të botës, do më ndihmojë që të vij në vete për pak kohë.


ARIXHIU: Mirë, mirë, por më duken qesharake këto që po më thua. Ja mbërritëm, kjo është kasollja ime, e sic të thashë më parë, të jesh i urtë si qengj në shtëpinë time! Po ta them sepse kam familje...!


DJALI: Mos ma thuaj më! I tillë do të jem.


AKTI II

SKENA I

( Në kasollen e arixhiut, djali kalon disa ditë dhe qetësohet nga e kaluara.
Në zonë bëhet një dasëm dhe skena mbushet me festë, valltarë dhe një rreth i madh me arixhinj që festojnë një martesë, me veshje shumëngjyrëshe dhe të varfër, por të pasur në kërcime dhe këngë.)


ARIXHIU: Gaxho, eja me mua! Sonte do të tregoj se si dhe në c’mënyrë martohen arixhinjtë. Poshtë nga lumi bëhet një dasëm dhe s’e ke idenë sesa dëfrim është për ne të tjerët!


DJALI: Ah... dëfrimet? Janë kënaqësitë e mia më të mëdha! Epo i ri jam, edhe mund të pi e të kërcej ndopak atje, apo jo?

ARIXHIU: Vetëm me një kusht djalosh, nëse di të kërcesh, sepse ne arixhinjtë e kemi në gjak kërcimin dhe nuk falim gabime...
( ngre vetullat lart në shenjë pyetësori mbi djalin )

DJALI: Ah..jo, nuk marr përsipër këtë konkurrencë, më kushton më pak të qëndroj në vend e t’ju shoh ju të kërceni pa ndalur.


ARIXHIU: Ja, gati mbërritëm, i dëgjon këngëtarët?

( tregon me gisht duke zgjatur krahun)

I dua shumë dasmat, sidomos valltaret, ato janë aq të lehta, si mjelma e ngrejnë kokën dhe kur rrotullohen, më ngjajnë me perëndesha të bukura që duket sikur jetojnë tërë jetën e tyre vetëm për të kërcyer.


DJALI: Tani që jemi më pranë po përpiqem t’i shoh më mirë. Por, dua të them që po më pëlqen... vertet...., po të ta them jo për të bërë qejfin ty, por sepse vërtet ju arixhinjtë festoni me shpirt të ndezur.


ARIXHIU: A të thashë, që ne jemi popull i qejfit? Ahahahhaah...!! ( qesh duke ngritur kryet lart )

DJALI: Ja... shiko pak nusen sa e bukur duket..., krejt ndryshe nga c’mendoja unë po më dalin para syve. Kjo është e cuditshme, nuk më kishte ardhur asnjëherë në mendje që do isha pjesëmarrës në dasëm arixhinjsh, por më pëlqen... sidomos.... oh.., kush është ajo? ( mbeti në vend i hutuar)

ARIXHIU: Ajo? Kush ajo, sepse në atë mes janë shumë “ ajo”! Cilën të zuri syri? Hej gaxho ku ke humbur, a ndodhesh këtu apo ike sërish nëpër ato fantazitë e tua qesharake? Sa djalë i cuditshëm je!

DJALI: Jo jo, nuk kam humbur, këtu jam me këmbë në tokë! Ja, ajo vajza që po të tregoj me gisht, eja këtu dhe ndiq gishtin tim...! Oh jo, u zhduk, humbi mes turmës, prit pak se do të dalë sërish... sapo ta gjej do të ta tregoj dhe ti ndiq vetëm gishtin tim, dëgjon? Sepse vetëm në këtë mënyrë e kupton se për cilën po të them...!


ARIXHIU: ( afron fytyrën para gishtit të djalit dhe i vjen vërdallë me shikim )

Po mjaft se më lodhe..., m’i solle sytë vërdallë duke të ndjekur gishtin e nuk po e shoh fare dasmën dhe valltarët.! Hë, a doli sërish? Sepse dua të shkoj atje në mes dhe ty po të le pak vetëm.


DJALI: Ja, ja edhe pak të lutem, dua ta tregoj se më mbeti në mendje beli i saj i hollë. Mos ik, eja këtu, ( e zë nga shpina ndërkohë që arixhiu bën hapin e parë për të ikur), doli..., e sheh tani? Ndiqe edhe njëherë të lutem gishtin tim që të kuptosh se për cilën bëhet fjalë!




ARIXHIU: Hera e fundit ama se nuk do merrem me ty gaxho capkën, po të pëlqejnë vajzat e racës sonë më duket eh? Djalosh me ngadalë, mos e lëviz aq shpejt gishtin....


DJALI: C’të bëj, ajo kërcen aq bukur e shpejt, duket sikur është mes të valëve të detit!


ARIXHIU: Janë shumë vajzat tona aty.... ah... tani e zuri gishti... dhe ndaloi... për atë bëhet fjalë? Jooooooo..! Në asnjë mënyrë! Të ndaloj t’i afrohesh asaj në cdo kusht, më dëgjon?

( kërcen përpjetë papritur).


DJALI: Oh..., po tani c’të zuri, ndonjë mushkonjë e madhe, sepse këto qenkan me koshere! Vërtet të pickoi ndonjëra? Pse kërceve përpjetë?


ARIXHIU: Jo jo, s’më pickoi mushkonja, por shënjestra e gishtit tënd! Asaj valltares atje mos iu afro sepse ajo është vajza ime, më dëgjon? E vetmja bijë e imja gaxho, dhe është vetëm gjashtëmbëdhjetë vjece. Më dëgjove? Apo ke nevojë të ta cjerr në vesh që të të fiksohet mire?



DJALI: Oh... jo! Nuk është e mundur! Por nuk e kam parë në shtëpi tërë këto ditë, si mund të jetë ajo bija jote?


ARIXHIU: Zakoni e kërkon që ajo të kërcejë nëpër dasma të zonës me ditë të tëra, dhe është princesha e valles midis të tërave, e kupton tani? Mos më bëj këtë fytyrë kaq të hutuar, sepse nuk ta lejoj këtë! Unë po iki andej, ti qëndro këtu.


DJALI ( me vete mes turmës): S’mund të ndodhë kështu! Sapo ma zuri syri, më bëri krak zemra! Tani nuk po ia ndaj më dot shikimin, aq bukur kërcen trupi i saj dhe rrëshqet poshtë atij fustani plot ngjyrësh e të bëshëm, saqë mendjen ma mori fare. Nuk mund të jetë bija e tij, përndryshe, kjo do të thotë që do të vijë në shtëpinë ku edhe unë po qëndroj! Si t’ia bëj?! Nuk po e kuptoj, c’po më ndodh! U hutova! Ja, ajo po afrohet nga unë, të futem pak në thellë që ta shoh më pranë.... flokët e derdhura duket se era po ia sjell pranë meje, si për të më provokuar....! Oh..., eja në vete, mos fol marrëzira, ajo është kaq e bukur por një arixheskë, ndërsa unë i bardhë, nuk mund ta mendoj një gjë të tillë. Por zemra po më flet ndryshe, kaq e pabindur po bëhet e poshtra!! Nuk më ka ndodhur asnjëherë, deri në këto caste që po shoh atë duke kërcyer dhe duket se nuk e ka mendjen fare se të tjerë e shohin, aq më tepër unë. C’po them unë idioti, ajo as nuk e di që unë jam këtu, asnjëherë nuk më ka parë..ah..., më falni, ju shkela, s’e kisha mendjen, jam i hutuar...!

( përplset më turmën) .




SKENA II


( Në kasollen e arixhiut, ndodhet ai bashkë me djalin. Sapo hyn në shtëpi vajza. )


DJALI (me vete): Ja ku erdhi, më në fund! U bënë ditë që e pres të kthehet.


VAJZA: Baba, kush është ai gaxhoi që pashë jashtë në oborr? C’bën ai në shtëpinë tonë?


ARIXHIU: Mos ki frikë Bedrana, ai është një djalosh që e gjeta para disa ditësh në pyll, është arratisur as vetë nuk e mora vesh nga, dhe unë e strehova këtu sepse më erdhi keq. Por nuk do të qëndrojë gjatë.


VAJZA: Vërtet që duket i cuditshëm, sepse e pashë që po bënte ecejake nëpër oborr pa kuptim. I shkreti, kush e di nga vjen. Baba, po dal pak jashtë ta përshëndes.


ARIXHIU: Mirë bijë, por mos iu afro shumë, pastaj kthehu tek unë e më trego si ia kalove këto ditë.

VAJZA: Pa merak baba.

( vajza del jashtë dhe ndjek djalin që vërtitet përqark ).


DJALI: Më fal se nuk e kisha mendjen, e nuk të pashë të dilje, si të quajnë?


VAJZA: Bedrana!


DJALI: Emër i vecantë! I bukur dhe i cuditshëm për veshët e mi! Afrohu pak, mos ki frikë se nuk të ha!


VAJZA: Nuk i frikësohem njerëzve!


DJALI: Ashtu? Eja me mua atëherë, ma jep dorën e të shëtisim nga buza e lumit. Kështu mund të rrimë më të qetë.


VAJZA: Di unë një vend më të bukur këtej përqark.Të futemi nëpër drurët e pyllit, atje midis cicërimave të zogjve, të dëgjojmë këngët e tyre dhe të ndjekim rrezet e diellit që lëshohen si litarë mëndafshi midis pemëve.


DJALI: Shkojmë atëherë, sa më shpejt, sepse kam shumë gjera për të të thënë.

( ai e zë për krahu dhe vrapojnë të dy nga pylli )


DJALI: Bedranë, më dëgjo me vëmendje, dua të të them dicka...!


VAJZA: Cfarë po thoje? Më fal po ndiqja me vëmendje dy kaproj se si vraponin duke lozur, shikoji edhe ti, a nuk janë kafshë të mahnitshëm..? Thua a janë të dashuruar ata që duken kaq të lumtur dhe lozonjarë me njëri – tjetrin?


DJALI: Pikërisht për këtë dua të të flas zonjushe, a e ke mendjen tek fjalët e mia apo tek lojërat e tyre?


VAJZA: Si? Cfarë? Nuk të dëgjova ty, por këngën e atyre dy zogjve atje lart, a të pëlqen kjo këngë?


DJALI: Po po, më pëlqen, këndojnë bukur, qenkan këngëtarë apo jo! Por lëri këto tani dhe kthehu nga unë. Kam disa ditë që kam përgatitur një fjalim të gjatë për këtë cast, ndërsa ti merresh me kafshët apo zogjtë. Tani më vështro në sy e më thuaj nëse të pëlqej ndopak?!


VAJZA: Si të përgjigjem unë ty? Oh...., nuk e di cfarë, je i pari gaxho në jetën time që më qëndron kaq pranë, aq më tepër, që më ke zënë për krahësh... jo kaq fort të lutem..., po më vret.!


DJALI: Lëre fare, mos më jep përgjigje tani, s’ka problem. Do të ma japësh sigurisht më vonë, në kohën e saj. Por dua të të them që një natë isha me babain tënd në një dasëm dhe të vështrova gjatë kur kërceje me aq hijeshi...


VAJZA: Ah, sa mirë! Kam kërcyer tërë ato netë. Por nuk të kam parë asnjëherë në dasëm, ishe vërtet?


DJALI: Po po, isha, por nuk munda të të afrohem sepse yt atë ma ndaloi menjëherë. Të lutem mendjen mbaje këtu, sepse janë të rëndesishme për mua këto që po të them...


VAJZA: C’të paska gjetur gaxho, ja më paske parë në dasëm si shumë të tjerë, c’ka këtu për vëmendje të madhe?


DJALI: Oh, Perëndi! Qenke kaq e vogël sa nuk e kupton që unë dua të të shpreh se u dashurova me ty që në momentin e parë që të pashë atë natë!


VAJZA: ( qesh nën buzë )

Jo..., nuk mund ta besoj! Nuk mund as ta kuptoj dot, sesi një gaxho mund të dashurohet me një vajzë arixheskë? Të lutem mos luaj me mua! Eja më mirë të shkojmë atje tej dhe të luajmë me natyrën..


DJALI: Nuk më intereson natyra këtu, por ti! Të lutem më beso që mezi kam pritur kthimin tënd në shtëpi që të t’a thoja këtë fjalë, jam i dashuruar me ty dhe nuk kam menduar për asgjë tjetër, as për jetën time, se c’do bëhet me mua në të ardhmen. Po, për momentin di vetëm që ti je kaq e bukur dhe prania jote më ndihmon të jem kaq i lumtur, edhe pse unë jam i bardhë dhe ti një bijë kaq e bukur arixhiu.


VAJZA: Mos luaj me mua, sepse nuk mund të jap përgjigje, unë nuk jam si ti. Më ler të lutem të iki, po kthehem në shtëpi, sepse im atë më pret. Dhe, më porositi që të mos të të afrohesha, sikur ta dinte që pikërisht kështu do të ndodhte...!


DJALI: Të lutem Bedrana, qëndro edhe pak, mos vrapo aq shpejt, nëse do që të ikim, shkojmë të dy! Por të lutem më prit....!


SKENA III


( Në skenë, djali dhe Bedrana në shtëpi në një dialog )


VAJZA: Ti më the që je i dashururar me mua që në castin e parë që më ke parë, atëherë unë e mendova këtë gjë dhe do të të përgjigjem menjëherë! Më ke goditur me fjalët e tua, por nuk mund ta pohoj, sepse do të jetojmë në një shtëpi, derisa ti të largohesh, dhe kur të largohesh, do të më harrosh.
Ti nuk je si unë! Nuk mund ta pranoj këtë dashuri!


DJALI: Bedrana, nuk më intereson në jam i bardhë apo i zi. Sytë e tu të mallëngjyer tregojnë të kundërtën e asaj që po shpreh, prandaj jam i sigurtë që, pasi më njohe nga pranë, dashuria jote për mua dalëngadalë po bëhet e njëjtë me atë timen. U bënë ditë që jetojmë bashkë në shtëpinë tënde, dhe kjo të ndihmon më shumë.


VAJZA: Ti arrin të më lexosh në sy? Tani dorëzohem, sepse vërtetë që zemra ka filluar të më flasë ndryshe për ty, por ma thuaj ti sesi mund të të dashuroj në këto rrethana që gjendemi?

DJALI: Vetëm një gjë kërkoj nga ti. Lëre zemrën tënde të lirë të kërkojë dashurinë që unë dua të të fal. Është e vështirë për ty?


VAJZA: Nuk e di, por do të përpiqem. Ti je shumë i dashur me mua!


DJALI: Si mund të mos jem i dashur me ty, përderisa të dashuroj? Nëse nuk e njeh këtë ndjenjë kaq të bukur, atëherë më ler të ta mësoj me kujdes.


VAJZA: Është e panjohur për mua ndjenja e dashurisë, prandaj jam e gatshme të të kërkoj ndihmë!


DJALI: Bedranë, dashuria që kam për ty do të të mbrojë për aq kohë sa të jemi bashkë, por kjo është e gjitha në duart dhe zemrën tënde. Nëse ti vendos të më duash, do të jem nëntëbdhejtë vjecari më i lumtur i kësaj zone!


VAJZA ( qesh me të madhe):

Atëherë ky rrezik qenka i ëmbël për mua, megjithatë kjo mesele nuk është e pakët. Nëse babai...!


DJALI: Me babain do të flas, por në castin e duhur.


VAJZA: Ja, ku po vjen ai. Duhet ta mbyllim këtë bisesë tani.


DJALI: Më ler të të përqafoj pak, para se ai të mbërrijë brenda...!


VAJZA: Nëse do të jesh i sinqertë me mua gjithnjë, ashtu sic je tani, atëherë më lejo të të quaj:
“ I dashuri im”, e këtë fjalë do ta ruaj fort në zemrën time.



AKTI III

SKENA I


( Arixhiu shëtit buzë lumit për të ndrequr punët e tij të shtëpisë.)


ARIXHIU ( me vete) : Oh, kockat e mia të shkreta, nuk janë më për punë, sic bëja dikur, kam mbetur fillikat me vajzën time, dhe atë do ta martoj së shpejti. I mjeri unë, moj grua e mirë si më le në baltë, me një vajzë që do rregulluar...!


VAJZA: Baba, pse je ngrysur kështu, c’të ka ndodhur?


ARIXHIU: Asgjë moj bijë e bukur. Mu kujtua nëna jote ndërsa po bëja gati këto shkarpa për zjarrin. Ma dëgjo me vëmendje fjalën që do të them tani:

(hedh përtokë drutë dhe drejton trupin si ushtar)

Nga bëhet gaxhoi? Dua të flas vetëm me ty, sepse është e rëndësishme, uroj të mos kthehet tani!


VAJZA: Po më tremb, baba! C’do të thuash kaq të rëndësishme? A ka lidhje me atë djalin? A mos ka ardhur koha ta përzesh nga shtëpia jonë? Baba, më thuaj c’të shqetëson, tani që akoma ai nuk është kthyer...

( e zë të atin nga duart dhe e shtrëngon fort tërë ankth)


ARIXHIU: Jo moj e ëmbla bija ime, nuk është ai rëndësia ime, por ti...


VAJZA: Ah, baba. Sa u tremba! Atëherë nuk qenka aq problem, meqë ka të bëjë me mua. Ti më njeh, të kam dashur gjithnjë dhe do t’i bindem cdo urdhëri tëndin, por të lutem, lërë gaxhon të qëndrojë edhe pak kohë tek ne, duket akoma i dobët dhe i pasigurtë në këto anë, gjynah, a nuk e sheh si të ishte biri yt i vetëm?


ARIXHIU: Ke të drejtë vajzë, ti ke një zemër të madhe mirësie për njerëzit. Ai le të qëndrojë sa të dojë, fundja, vetë po punon dhe ndihmon këtu. Por, prit tani, mos më shpërqëndro në atë që dua të të them, ulemi tek ky guri i madh këtu... më ndihmo bijë...!


VAJZA: Po baba, si është puna tani?

ARIXHIU: Bijë, ka ardhur koha të të martoj, dhe kam gjetur një djalë të shkëlqyer për ty...


VAJZA: Oh..., baba, të lutem mos!


ARIXHIU: Si? Mos? C’do të thuash? Nuk do të martohesh apo si është halli? Dua të jesh e lumtur, prandaj po mendoj unë për ty... më dëgjon? Mos i hidh vështrimet andej tutje por këtu nga unë...!


VAJZA: Baba, më fal! Ke të drejtë. Ti vërtet ke dëshirë që unë të jem sa më mirë, por kush do të mendojë për ty kur unë të kem ikur? Dua të qëndroj akoma në shtëpinë tënde, më lër edhe pak kohë të lutem, baba..!


ARIXHIU: Mos e ki merakun tim, nuk është larg shtëpia e tij, mund të vish sa herë të duash tek unë e të më shikosh, por mos ma prish fjalën, sepse tashmë gjërat në mendje i kam ndrequr më së miri. Prandaj le ta bëjmë këtë gjë sa më shpejt. Ti je gjashtëmbëdhjetë vjece tashmë, keq më vjen që të dorëzoj në duart e burrit në këtë moshë, por nuk kam rrugë tjetër, tashmë po plakem cdo ditë dhe nuk mund të të lë në duart e fatit. Mamanë nuk e ke që të të ndihmojë në gjithshka. Kështu është më mirë për fatin tënd, më kupton ?


VAJZA: Baba, të përgjërohem më ler edhe pak, sepse nuk mund të martohem tani, pikërisht tani...!

( vë duart në fytyrë dhe nis e qan)


ARIXHIU: Cfarë do të thuash me këtë? A ka ndonjë gjë që nuk shkon? Ma thuaj tani, para se të pres fjalën me të huajt! Pse më turbullon bijë?


VAJZA: Nuk mundem baba...! Mos shko tek ajo familje, do më trishtosh shumë nëse do ta bësh!


ARIXHIU: Përse të mos shkoj? Përse më thua që do të trishtohesh nëse shkoj atje? Ai është djalë i dorës tonë, të ka parë dhe më ka dhënë pëlqimin e vet për ty. Më thuaj Bedrana se nuk po të kuptoj! Po kërkon t’i rebelohesh fjalës time?


VAJZA: Jo! Nuk mund të rebelohem! Atëherë, më ler të mendohem pak ditë, pastaj do të jap përgjigjen e saktë. Po këtë a mund ta bësh?


ARIXHIU: Patjetër bijë, po të le të mendohesh mirë dhe më thuaj c’vendim do të marrësh. Më pas, i ftojmë ata në kasollen tonë që të kërkojnë dorën tënde.

VAJZA: Të falenderoj baba, do të mendohem mirë për këtë cështje, dhe përgjigjen do ta jap sa më shpejt të jetë e mundur. Unë po iki të shëtis pak jashtë.


ARIXHIU: Mirë bijë, shko dhe gëzo këto pak ditë që të kanë mbetur të lira.


Ah kjo bija ime, pse vallë më kundërshtoi në këtë mënyrë? C’të ketë ndodhur me të? Mos i vjen keq për mua?Mos po gaboj që po e martoj kaq të vogël! Ndoshta ka të drejtë ajo, por nuk kam unë rrugë tjetër që të ndjek!




( Vajza shkon të kërkojë djalin dhe e gjen atë)


DJALI: Bedrana, c’ke, pse po vrapon kaq shumë?
Ka ndodhur gjë nga babai? Më thuaj se më merakose tani..., hë, merr frymë njëherë dhe pastaj ma thuaj!


VAJZA: Të lutem, më përqafo fort! Jam e pikëlluar, por do jesh edhe ti pas meje sapo të të them se c’kam!


DJALI: Po më tremb po fol tani, mos më ler në pritje!


VJAZA: Babai..., oh babai...!


DJALI: Cfarë ka babai, është i sëmurë? Mos më thuaj këtë!


VAJZA: Jo jo, ai është si kokrra e mollës vetë, por po më sëmur mua...! Oh.. Zot, nuk e besoj dot atë që ai do të bëjë me mua...!

( ajo nis të ngashërehet me dënesë duke u ulur në gjunjë para tij)


DJALI: Po cfarë moj se po më plas nga ankthi!


VAJZA: Ja po ta them që të qetësohesh, por, po të paralajmëroj që nuk ke për t’u qetësuar, pëkundrazi, do të vuash si unë tani! Ai ka vendosur të më martojë së shpejti me dikë që vetë e ka menduar!

DJALI: Si..., cfarë? A je në vete? Prit pak moj vajzë, ma thuaj edhe njëherë?


VAJZA: Nuk po më beson? Sapo erdha nga babai dhe ai më tha ulu të bisedojmë, u ula dhe nuk dija përse e kishte fjalën, por kur më tha që ai ka vendosur të më martojë, madje që tashmë e ka zgjedhur dhëndrin e tij, m’u prenë gjunjët, më ra qielli mbi kokë....!


DJALI: Dhe, c’përgjigje i dhe ti atij? Dua të di cfarë zgjidhje i keni dhënë gjatë bisedës, këtij problemi!


VAJZA: I kërkova kohë që të mendohem...! Por ti do ta zgjidhësh këtë cështje apo jo? Duhet të përballesh me babanë tim dhe t’i thuash që nuk mund të më martojë me një të huaj, sepse tashmë unë e kam një burrë, ty! Është kështu sic e mendoj unë apo po ndryshon mendim nga frika e tij?


DJALI: Unë frikë, nga babai yt? Aspak! Do të shkoj menjëherë tek ai e do t’i tregoj që burri yt do të jem unë. Por kam frikë sesi do të reagojë. A do ta pranojë ai faktin që unë jam i bardhë?


VAJZA: Nuk ka rëndësi kjo, i bardhë apo i zi, ne të dy duhemi, dashurinë tonë nuk mund ta ndajë një ngjyrë, por duhet të luftojmë që ta mbajmë të bashkuar. Të lutem i dashuri im, mos më ler të shkoj në duart e tjetrit, kur tashmë të kam ty...!


DJALI: Mos më bëj të ngashërehem! Më duket se që tani po të humbas! Më duhet të luftoj realitetin e hidhur të ligjeve që të fitoj ty, është shumë e veshtirë për mua. Eja pas meje, ndërsa unë po iki menjeherë tek babai yt dhe do t’i tregoj që kemi zgjedhur fatin e njëri – tjetrit për t’iu bashkuar me martesë, dhe vetëm unë do të jem ai që do të të bëjë të lumtur, deri sa të kemi jetën!


VAJZA: I dashuri im.. shpejto, para se ai të jetë i vendosur që fatin tim t’ia dorëzojë një të huaji! Uroj që dashuria të fitojë në këtë përballje tënden me të, por edhe mund të rrezikojë gjithshka. Vetëm, nëse babait tim ti i pëlqen për të qenë burri i jetës sime..., oh c’po them..., ai dëshiron mirëqenien time, atëherë kjo është rruga e duhur dhe jam e sigurtë që do të pranojë. Tani m’u ngroh pak zemra! Po vij dhe unë pas që të të bëhem krahë në përballjen me këtë situatë, që ai të bindet se ne të dy duhemi që prej ditës së parë që jemi takuar.



SKENA E II


( Djali arrin tek ai dhe me një frymë i kalon përqark shpinës, më pas, i del përpara me kokën ulur nga ndrojtja për të hapur bisedën për të bijën. Ndërsa arixhiu i ulur, vështron me vëmendje lëvizjet e tij dhe habitet.)


ARIXHIU: C’ke gaxho? Të ka hyrë gjë në shpinë e nuk të le rehat, që po vjen vërdallë?


DJALI: Jo, asgjë nuk më ka hyrë! Dua të të flas për një cështje serioze, por nuk kam kurajon të të përballem, e nuk di nga t’ia nis, prandaj po të sorrollatem përqark!


ARIXHIU: Ah..., ja përse! Po ma thuaj se nuk të ha, edhe sikur të ma thuash mbrapsht!


DJALI: Mos luaj me fjalët e mia, po të paralamëroj që duhet të më dëgjosh me katër veshë, sepse dua të të tregoj një gjë të rëndësishme!


ARIXHIU: Por dy veshë i kam unë, të tjerat ku t’i gjej bir? ( qesh me të madhe)


DJALI: Gjeji ku të duash, vetëm më dëgjo mirë, të lutem!


ARIXHIU: Ashtu? Mirë, tani po të dëgjoj me vëmendje, sepse qenka e rëndësishme për ty.


DJALI: Është edhe për ty. Sapo fola me vajzën tënde dhe më tha që ke vendosur ta martosh atë.


ARIXHIU: Po, ashtu mendoj, por c’të shqetëson ty tek bija ime?


DJALI: Më shqetëson fakti, sepse unë, që të ta them hapur, jam i dashururar me vajzën tënde, edhe ajo me mua!


ARIXHIU: Si..? Cfarë? C’po më thua..., që ti dhe bija ime keni një lidhje bashkë? Je në terezi? Si ke guxim që vjen e më thua këto fjalë?


DJALI: Guximin ma fal vetem dashuria qe kam për Bedranën, prandaj erdha menjëherë. Dua të të kërkoj që ta anullosh martesën e saj me djalin që ti ke gjetur, sepse ajo do të jetë e imja për jetë, nëse i dëshiron të mirën si babai i saj, duhet të jesh dakort!


ARIXHIU: Pa diskutim që nuk do të jem dakort, dhe as kam për të qenë ndonjëherë, dhe arsyen ti e di fare mirë, apo jo?


DJALI: E di arsyen, por ngjyra ime e lëkurës nuk mendoj se do të përbënte problem, nëse dy persona duhen. Unë jam i gatshëm që të le pas jetën time dhe të ndërtoj të ardhmen këtu, midis jush, vetëm për hir të dashurisë tonë. Nëse kjo gjë shkakton problem për zonën, atëherë le të ikim gjetiu ta ndërtojmë, vetëm të jemi gjithnjë bashkë, unë dhe ajo!


ARIXHIU: Po flet përcart, si mund të martohesh me vajzën time ti kur je i përndjekur nga shteti? Sapo i je arratisur burgut dhe thjesht po fshihesh në shtëpinë time? Nuk ta lejoj asnjëherë sa të jem gjallë vajzën time. I kam besuar fjalës tënde, kur më ke thënë që je i pafajshëm, pavarësisht se u zure nga ata, por tani u lëkunda. Nëse ata të gjejnë sërish, nuk do kesh më shpëtim për veten. Po vajza ime c’të bëjë atëherë? Të jetojë e vetme me burrin e saj në burg? Jo, e pamundur! Nuk do të ta lejoj kurrën e kurrës, prandaj, të urdhëroj që asaj t’i largohesh sa më parë, sepse ajo ka vendosur për zgjedhjen e saj, pikërisht këtë zgjedhje timen.


DJALI: Ja ku po vjen vajza, të lutem pyete vetë, sepse e sheh sa e hidhëruar është? Unë nuk të gënjej kur të them që edhe ajo është e dashuruar me mua....!


ARIXHIU: Largohu nga unë, dhe sidomos nga ajo! Si mund të marr mendimin e saj kur unë e kam vendosur se cfarë të bëj. Nëse ti më kundërshton edhe njëherë, atëherë jam i detyryar të të përze nga shtëpia ime. Vetëm në këtë mënyrë do të jem i qetë me vajzën time!

( në skenë hyn vajza e dëshpëruar)

VAJZA: Baba..., të lutem, të përgjërohem! C’janë këto fjalë që po nxjerr ajo gjuhë e jotja? Mos ndoshta zemra t’u shndërrua në gur? Mos e mendo këtë, jo më ta bësh! Nuk mund ta përzesh nga shtëpia atë, sepse unë e dua!


ARIXHIU: Si? Bija ime, si the? A mos më erdhi gabimisht tek veshët që ti e do këtë gaxhoin? Të ka lënë mendja? Oh, Zot i madh, kjo mesele po bëhet më e madhe tani!


VAJZA: Jo, jo, të erdhi drejt kjo fjalë! Madje, të ta përsëris edhe një herë që të bindesh...


ARIXHIU ( zë veshët fort me të dy duart):

Joooo! Mos thuaj më asnjë fjalë! E pamundur! Po cmendem! Nuk mund të dëgjoj më shumë! Apo je ti, bija ime, e cmendur?! Të urdhëroj të hysh brenda në shtëpi dhe të mos dalësh më derisa të them unë. Ndërsa me këtë tjetrin do të merrem me forma të tjera, nëse nuk e kupton me të butë!


VAJZA: Oh, baba, mos më bëj këtë! Nuk mund të më urdhërosh që të ndahem tani e përgjithmonë nga djali që dua, ai është fati im dhe nuk do të pranoj asnjërin nga ata që ti mendon! Dhe nuk i rebelohem aspak fjalës tënde, por ti duhet t’i kuptosh drejt ndjenjat e mia. Dhe nëse nuk pranon, atëherë gjëja e fundit është të të braktis e të martohem me të...!


DJALI (zë vajzën për supesh dhe e mënjanon nga i ati):

Bedranë, prit pak, ky vendim është i rrezikshëm për të gjithë ne. E mira është të bindim babanë të pranojë fatin tonë, sesa ta braktisim dhe të zhdukemi nga ai.


VAJZA: Por ai..., nuk ka për ta pranuar asnjëherë! E gjitha kjo ndodh vetëm sepse ti je i bardhë e jo si ne! Me c’forcash mund ta bind unë këtë kokë të tij, që ta kuptojë drejt se ne të dy dashurohemi dhe kjo do të jetë për jetë?


ARIXHIU: Eja ketu! Eja edhe ti tjetri! Afrohuni të dy! Ti djalë që më shkele në besë, tregoji asaj që të bindet se cili je, si të gjeta dhe cfarë ke lënë pas krahëve deri në castin që hyre në shtëpinë time...! Ti Bedranë, di gjë se c’ka ndodhur me të para se të njihej me ty?


VAJZA ( tund kryet si e zënë në faj) :

Jo baba, nuk di gjë tjetër vecse më ka thënë që ka mbetur i vetëm në jetë e të tjera si kjo!


ARIXHIU: Domethënë ti, gaxho sypatrembur, na qenke dhe gënjeshtar! Unë nuk i kam treguar asaj, sepse dija që së shpejti do të merrje rrugën tënde, larg shtëpisë sonë! Ndërsa ti, u dashurove me vajzën time dhe nuk kishe guximin t’i thoshe asaj të vërtetën, apo jo? Bedrana, hapi veshët mirë dhe dëgjoje këtë fjalinë e fundit që do të them: Ai është i arratisur nga burgu, është i akuzuar nga kushedi cfarë e përse, por këtu, tek shtëpia jonë dhe tek zemra jote, thjesht ka fshehur kokën e vet për të shpëtuar nga ata...!


DJALI: Jo! Jo! Në asnjë mënyrë, nuk është kështu e vërteta! Bedranë të lutem mos e dëgjo, sepse po kërkon të më poshtërojë para zemrës dhe syve të tu të bukur, në mënyrë që të largohem!


VAJZA: Oh..., Zot i madh, nuk po kuptoj më asgjë! Më ka mbërthyer hutimi si asnjëherë! Edhe një herë baba? Arrestim? Burgim? Nuk ka mundësi! Ky djalosh me këtë fytyrë kaq engjëllor? C’ke bërë more ditëzi? Dhe mua më ke gënjyer? Madje, më premtove dhe martesë! Oh baba, paskam qenë gënjyer nga ky gaxho, me dashurinë e tij!


DJALI: Të lutem Bedrana, më beso! Nuk është e vërtetë kjo! Domethënë, është i vërtetë fakti që jam i arratisur nga burgu, por...!


VAJZA: Dhe atëherë? Mos duhet të të përgëzoj që më gënjeve? E nëse të gjejnë, ata do të mbyllin përgjithmonë! E unë të mbetesha e vetme për tërë jetën time? Domethënë, të martohesha me burgosjen e përjetshme? Largohu nga unë! Baba...!


DJALI: Bedrana, më dëgjo të lutem! Unë nuk jam gënjeshtar, nuk të kam treguar, sepse nuk doja të të humbisja me këtë, isha dhe jam i dashuruar verbërisht me ty, por mos më bëj të ndihem i dëshpëruar tani. Ju lutem, mos më quani tradhëtar, kam nevojë për mbështetjen tuaj, por ti vajzë, je vërtet dashuria e parë e imja! Nuk do të zhgënjej sa të kem jetën, Bedrana më beso, se po të flas me zemër në dorë...!


ARIXHIU: Dhe.., ja ta zgjidhim këtë cështje njëherë e përgjithmonë. Ti Bedrana, shko menjëherë e mbyllu në dhomën tënde! Nuk do të dalësh që aty, deri kur të bindem unë që ke ndërruar mendje dhe këtë nuk e takosh më. Përfundimisht, pasi ta kesh harruar këtë gdhe lëkurëbardhë, do të njoftoj atë djalin e të bisedojmë nëse do të bëhesh apo jo gruaja e tij! Ky është ndëshkimi im për ty, për mosbindje të fjalës, madje jam shumë i butë me ty, bijë! Ndërsa me ty, do të sillem ndryshe, gaxho! Që tani do të të largoj nga shtëpia ime! Largohu dhe mos të shoh më vërdallë, përndryshe do të të ndërsej të gjithë djemtë e kësaj zone të të bëjnë copash, më kuptove mirë?


DJALI ( duke iu gjynjëzuar plakut, i zë duart dhe i përgjërohet ):


Mos më bëj këtë, të përgjërohem! Mos më braktis në mes të botës, të vetëm! Jam i humbur këtu dhe akoma nuk e njoh zonën! Aq më tepër, të më ndash nga dashuria ime e parë, që ka vetëm pak kohë që ka lindur, ti po përpiqesh ta këputësh në mes! Bedrana, fol të lutem, mos e lër të të ndikojë negativisht në ndjenjën që ke për mua që nga casti që u njohëm! Po më braktisni në forma brutale të dy, e nuk po e kuptoj se nga buroi e gjithë kjo mëri vetëm sepse unë qenkam i arratisur nga vepra e një padrejtësie? Mos e shkatërro këtë dashuri Bedrana, mos e lejo tët atë që të na ndajë mizorisht, dhe ti zotëri, nuk po kupton se po gabon rëndë, duke ekzekutuar një dashuri të fortë të dy të rinjve!


VAJZA: Mjaft! Mos thuaj më brockulla! Përse e mbajte të fshehur të shkuarën tënde? Më gënjeve me dashurinë tënde, lajkat e tua, vetëm që të siguroje shpëtimin tënd?


DJALI: Nuk mund ta mendosh kështu! Unë të dashuroj dhe pikë! Por vetëm nëse ti më thua largohu apo qëndro, atëherë do të bindem! Nuk mund ta duroj poshtërimin tim, duke parë në sytë e ty mosbesimin e fjalës sime! Bedrana, më thuaj të lutem: Më dashuron apo jo? Të qëndroj? Nëse qëndroj, do të jem burri yt përjetë. Apo të largohem një herë e përgjithmonë? Atëherë do të mbetem hija e një dashurie që do të ndjekë tërë jetën, por e shoqëruar me paaftësinë dhe pendimin tënd për të besuar të vërtetën e ndjenjës sime! Përgjigju tani, e mos më zgurdullo sytë si në padije të së mirës dhe keqes të kësaj bote!


VAJZA: Baba, unë..., nuk di c’rrugë të ndjek! Jam në udhëkryq midis zemrës dhe jetës sime....


DJALI: Atëherë, nëse ti vajzë e vure tashmë në dyshim dashurinë time, unë po marr vendimin tim e po nisem, me dëshpërim dhe zhgënjim të rëndë mbi supe...
( largohet me hapa të ngadaltë duke u kthyer shpinën)


ARIXHIU: Dhe mos u kthe më, sepse nuk e di se c’të pret! Ah, më në fund u bind! Bijë, të bardhëve mos u zër besë! Ata duan vetëm të luajnë me ngjyrën tonë....


VAJZA: O Zot.., ai po ikën vërtet! Jo, nuk mund të më braktisë, duhet ta ndjek! Baba, më lër ta ndjek pas, ai është njeriu që dua! Le të kthehet një ditë në burg, nëse kjo do të ndodhë, por vetëm më lër të gëzoj dashurinë e tij të pastër! Ikja e tij tani po më vret si plumb në zemër, si mund ta le të vetmuar, në mes të pyllit? I dashur..., kthehu të lutem! Që tani po e vuaj braktisjen tënde dhe timen bashkë, pa ty nuk ka më jetë! Baba, të lutem më lësho, mos më lidh me urdhrat e tua të vrazhda! Ti nuk e njeh dashurinë, këtë ndjenjë që shemb edhe një mal, jo më të ktheje pas atë djalë që unë e dua.., baba!


ARXHIU: Jo, ti nuk ke për të shkuar asgjëkundi! Do të mbyll në kasolle disa ditë e disa netë, derisa të bindesh, që ai është një mashtrues, i cili theu besën time dhe mori zemrën tënde, vetëm që të shpëtonte lëkurën e tij! Eja me mua tani dhe harroje këtë histori!


SKENA III


( Në zonë vjen i njëjti oficer i aktit të parë dhe ka shpallur tek të gjithë banorët kërkimin e një djaloshi të bardhë të arratisur. Ndërkohë që djali është i humbur nëpër pyll, vajza është e ngujuar në kasolle prej ditësh nga i ati. )


OFICERI
(I drejtohet një tjetër arixhiu aty përqark):

Ej, ti, afrohu pak! Mos ki frikë se një pyetje do të bëj!


BANORI I ZONËS: Ja, po afrohem!


OFICERI: Më thanë që këtu ka jetuar një djalosh i bardhë rreth nëntëmbëdhjetë vjec, prej ditësh. Di gjë ku është dhe kush e ka strehuar?


BANORI I ZONËS: Kam parë një gaxho të rri këtej përqark, por të tregoj unë se kush e ka mbajtur në shtëpinë e tij, tërë këto ditë. Eja me mua të coj tek ai!


OFICERI: Shumë mirë! Të kënaqet shpirti kur të binden kollaj këta njerëz!

( Të dy shkojnë tek shtëpia e arixhiut dhe e gjejnë aty.)


BANORI I ZONES: Unë me kaq e mbarova detyrën time, tani po zhdukem!


OFICERI: Ik, mbathja, para se të hash ndonjë të sharë nga ky për tradhëti ahahaha...!


ARIXHIU: Zotëri, a kam bërë ndonjë gjë të keqe? Nuk më ka ndodhur ndonjëherë të gjej ushtarakë në pragun e derës sime!


OFICERI: Ndoshta këto ditët e fundit ke bërë dicka, që na detyrove të vijmë deri këtu...!


ARIXHIU: C’paskam bërë unë ditëziu? A më thoni se c’kërkoni?


OFICERI: Mos u përpiq të më fshihesh, sepse tashmë nuk ke shpëtim! Megjithatë, ja ku po ta them! Ti ke mbajtur për disa ditë rrjesht një djalë të bardhë në shtëpinë tënde, apo jo? Ai është i arratisur nga burgu dhe ne jemi këtu për ta rikthyer në vendin ku e meriton! A je i qartë tani arixhi, se si qëndron puna? Kam bërë tërë atë rrugë vetëm për atë këlysh të vogël, për të zbatuar urdhrin e shtetit deri në fund! Nëse nuk më thua se ku është fshehur, atëherë jam i detyruar të marr masat edhe me ty, kupton?


ARIXHIU: Jo jo, mos e dhëntë Zoti! Mëshirë të lutem, por do ju tregoj të vërtetën menjëherë! E mora djalin të banojë në shtëpinë time, e gjeta në mes të pyllit dhe m’u dhimbs i shkreti, por nuk e dija që ai paska pasur belanë me vete.


OFICERI: Ku është tani, më thuaj, mos më detyro të hyj në kasollen tënde me forcë!


ARIXHIU: Oh, të lutem mos e bëj këtë! Kam vajzën e vetme aty brenda dhe e kam si dritën e syve! Por ju betohem që po ju tregoj të vërtetën që kam! Ai nuk banon më në shtëpinë time, sepse tradhëtoi besën dhe dashamirësinë time, prandaj, unë e dëbova nga kasollja!


OFICERI: Si po më thua? E dëbove? Dhe ku e shpure? Si mund ta gjej tani ? Oh, i mjeri unë, paska marrë sërish arratinë! Ushtarë, mblidhni forcat dhe shpërndahuni nëpër pyll! Ju urdhëroj ta gjeni dhe ma sillni të zënë si një lepur prej veshësh!


NJË USHTAR: Si urdhëron zotëri!


ARIXHIU: Nëse më lejoni, zotëri, a mund të më thoni se cfarë ka bërë ky djalë, që qenka kaq i rëndësishëm zënia e tij? Duhet të jetë një arsye e fortë, përderisa ju keni ardhur i rrethuar nga ushtarë, vetëm për të marrë atë! A mos bëj gabim që po pyes? Por edhe unë kam një arsye të fortë!


OFICERI: Mbylle gojën arixhi! Mos pyet për asgjë, përndryshe do të marrësh edhe ti një dënim si fshehës të një dezertori të bardhë! Lëre me kaq sa jam akoma i qetë, por nëse më kërcen inati i keq, nuk di se c’bëj! Ty nuk të takon asnjë informacion, por cuditem se si ai nuk të paska treguar asgjë, meqë e paske mbajtur me ditë të tëra! Që nga ky cast, nuk do të lëvizësh nga zona, sepse do të kthehem sërish këtu, dëgjove? Përndryshe...!


ARIXHIU: Oh, ju lutem, për hir të mëshirës, mos më bëni asgjë të keqe! Do të bëj si të thoni ju. Vetëm mos na bëni keq!

( Oficeri largohet në kërkim të djalit, ndërsa arixhiu hyn në kasolle, ku ndodhet edhe vajza )

VAJZA: Baba, kush ishin ata dhe cfarë kërkonin? Sa e trembur jam, a do të na bëjnë gjë?


ARIXHIU: Bija ime, kush tjetër mund të jenë vecse përfaqësuesit e shtetit, të cilët janë në kërkim të gaxhoit! Sa i gëzuar jam që e paskam përzënë nga shpëpia atë derëzi, përndryshe nuk di c’mund të ndodhte me ne. Por edhe nëse nuk e gjejnë, kam frikë se sërish do të na dënojnë për mbajtje në fshehtësi të një të arratisuri!


VAJZA: C’po thua baba! Kanë ardhur të kërkjnë gaxhoin? Pikërisht djalin e të cilit unë u dashurova? Oh Perëndi! Nuk u vonuan aspak, por u shfaqën si hije të natës, për ta rrëmbyer!


ARIXHIU: E kupton tani bijë, se përse unë të largova nga ai? Nëse do të martoheshe, do të mbeteshe e vetme, akoma pa bërë dasmën!


VAJZA: Baba, komshinjtë tanë kanë treguar, që gaxhoi ka qenë këtu, apo ti? Më thuaj të vërtetën të lutem!


ARIXHIU: Të betohem bijë, që nuk kam dashur asnjëherë të mbyllet në birucë nga duart e mia! Mua më mjaftoi fakti që u largua nga ne, për të tjerat nuk di c’të them! Ndoshta dikush përqark nesh ka kallëzuar për të!


VAJZA: E mjera unë për të! Sa ditëshkurtër paska qenë ai djalë! Ku do të jetë tani? Baba, të lutem, më lër të dal e ta kërkoj nëpër pyll, që ta shpëtoj dhe të ikë nga kjo zonë, para se ata ta gjejnë! Të përgjërohem baba, për hir të dashurisë sonë, nuk mund të qëndroj këtu e mbyllur nga kokëfortësia jote, ndërsa jashtë, jeta e tij është më në rrezik se kurrë! Të betohem baba që do të kthehem, vetëm më ler ta shpëtoj nga kjo mesele!


ARIXHIU: Je në vete? A u marrose? Apo të verboi sërish sytë ajo dashuria jote për të? A e kupton që është mjaft e rrezikshme dalja jote që këtu? Tashmë jemi deri në fyt me belatë e tij, edhe kjo do të më duhet, që të të humbas edhe ty! Nuk të lejoj për këtë dritë që na jep jetë, që të lëvizësh nga ky vend!

( ai i mbyll derën e jashtme ndërsa vajza përpiqet të ngrihet me forcë duke e shtyrë të atin dhe e hedh përdhe, më pas, del nga dera menjëherë, me një manovër të shpejtë. )


VAJZA: Baba të lutem të më falësh, por dashuria është e fuqishme dhe më bën të veproj jashtë fuqive dhe kontrollit tim! Duhet të shkoj ta gjej por do të kthehem sërish tek ti, më beso se nuk do të të braktis, vetëm të shpëtoj atë!


ARIXHIU: Ah, bija ime e pabindur! Nëse ti kërkon fatin tënd, atëherë vrapo dhe shpëtoje lëkurën e tij, unë jam i pafuqishëm të ngrihem nga kjo rënie, jo më të të ndaloj ty që të bësh atë që zemra dhe këmbët të thonë të bësh! Ti je e shpejtë si sorkadhe! Nuk mundem më të të ndaloj! Ai djalë paska qenë një filiz i shtrembër, i cili më shkatërroi edhe këtë pjesë të familjes që më kishte mbetur, e tani ka futur në rrezik dhe vajzën time të shtrenjtë! Si mund të jetoj unë pa ty bijë? Nëse shkon tani, kam frikë se nuk do të kthehesh më! Dhe për këtë jam i sigurtë, sepse nëse takoheni, nuk do të vish më këtu, por do të arratisesh bashkë me të! Jam i bindur, sepse edhe unë e njoh dashurinë, por nuk kam dashur të ta ushqej, ngaqë ai ishte i gabuari i jetës tënde! Më lër tani dhe shko! Mos ma vështro këtë gjendje të fandaksur që u bëra nga mosbindja jote! Nëse do kthehesh sërish do të thotë që jeta e tij tashmë nuk ka më vlerë, sepse nuk do të dijë të arratisët! Ata janë një ushtri dhe të vendosur për ta kapur, përndryshe...! Oh, nuk dua ta them fjalën e fundit bijë! Sepse ty do të të dhembë shumë në shpirt!


SKENA IV


( Në skenë, një atmosferë e zymtë në një udhëkryq të një zone të humbur, djali vjen përqark i humbur dhe pa asnjë ndihmë. Në castin që ulet pak në gjunjë për t’u shplodhur, vjen një kalimtar drejt tij.)


KALIMTARI: Djalosh, c’bën në mes të rrugës?


DJALI: Po qëndroj, ngaqë nuk di se ku të shkoj!


KALIMTARI: Po nga këto anë c’të ka sjellë, sepse kjo është zonë vetëm për arixhinjtë. Ti je i bardhë!


DJALI: As për këtë nuk di të të jap një përgjigje të saktë, sepse jam i turbullt. E di që është zona e yre dhe uroj të mos më dalë asnjëri prej tyre përpara! Përndryshe, nuk do ta kontrolloja veten nga zemërimi që më vret brenda në shpirt! Jam i hutuar, i zhgënjyer dhe mbi të gjitha, i dëshpëruar!


KALIMTARI: Eh, ky vend këtu paska vetëm hallexhinj! Pak më parë, dikush më tha që një ushtri me një oficer në krye, është në kërkim të një djaloshi të bardhë, se gjoja na qenka i arratisur dhe i fshehur ketej. C’të ketë bërë vallë ky djalë? Dhe kaq i ri pale, nëntëmbëdhjetë vjec më duket sikur e dëgjova! I shkreti djalë, kush e di nga bëhet, e nuk e di cfarë e pret, një ushtri e tërë nga pas! A po më dëgjon ? E ke këtu mendjen apo fluturove gjetiu?


DJALI (krejt i hutuar nga lajmi që i dha kalimtari dhe i ngrysur në fytyrë ):

Të dëgjova shumë mirë, por, është e vërtetë kjo që sapo më the? Për këtë punën e një oficeri? Të lutem përsërite edhe një herë? Është këtu? Këtej përqark bashkë me ushtarët e tij, për të kapur një djalë?


KALIMTARI: Kështu më thanë disa djem arixhinj diku larg, gjatë rrugës sime, kur u ula pak për t’u shplodhur! U habita nga fakti sesi një ushtri ka mbërritur këtu në kërkim të një djali të vetëm!


DJALI: Mos thuaj më asgjë! Më duhet të largohem! Të falenderoj për lajmin që më dhe! Duhet të vrapoj, as vetë nuk e di se ku, por di vetëm që duhet të iki e sa më larg!


KALIMTARI: Ej, prit, ikim bashkë nëse nuk di se ku të shkosh! Të ndihmoj unë! Ah, po i trashë mbeta unë, tani e kuptova, a mos je ti vallë ai që po kërkojnë ata? Prit, mos ik ashtu!


DJALI: Jo, mos u përpiq të më ndihmosh, sepse do të gjejë edhe ty belaja më pas! Nuk mund ta imagjinosh se cfarë njeriu është ai oficeri që është vënë në kërkimin tim, prandaj më mirë, po vrapoj për t’u larguar sa më parë! Nuk dua të ngatërroj më shumë njerëz në hallin që më ka zënë tani, aq më tepër një të huaj si ti! Më ler të iki, sepse dua të shpëtoj veten nga ai burgim i tij i përjetshëm.


KALIMTARI: Oh Perëndi, cfarë situate! I gjori ti djalosh! Nëse e vetmja zgjidhje është të vraposh sa më shumë, do të doja të të jepja dhe këmbët e mia që të shkoje sa më larg!


DJALI: Kam një fuqi të madhe tani në shpirt e trup! Dëshpërimi i kujtimit të rikthimit në burg, më bën të fuqishëm e të pandalshëm, prandaj, po largohem, për të mos i humbur më castet e mia, sepse janë më të shtrenjta se gjithcka në jetën time!


KALIMTARI: Fati të ndihtë djalosh! Lamtumirë!


DJALI ( në monolog )


Sa shumë kam vrapuar, nuk di se ku po gjendem! Tashmë po errësohet dhe nata më frikëson! Frika dhe vetmia kanë filluar të më kaplonjë dhe po trembem! Jam në një gjendje shokuese paaftësie të shpëtimit të vetvetes! Cfarë rruge të ndjek? Nëse e kaloj natën këtu, jam në rrezik, por edhe nëse vazhdoj të eci, do të humbas gjithnjë e më tepër.
Si mund të më braktisë në këto forma Bedrana, me të cilën aq shumë u dashurova që në castin e parë të shfaqjes së saj në jetën time! Dua të mendoj vetëm për të tani, sepse më jep fuqi t’i rezistoj errësirës së natës dhe më duhet kthjelltësia e mendjes për t’i bërë ballë. Dashuria ime e parë ishte aq kohëshkurtër, por edhe kaq e fortë në zemrën time, aq sa edhe tani që gjendem rrugëve, mendoj vetëm për të, për trupin e saj lozonjar dhe sytë e kaftë që shndritën aq bukur nga ndjenja e dashurisë për mua. Në dashuri dështova, tashmë mori fund! Zhgënjeva veten dhe atë, megjithëse isha i bindur për të, nuk ka më vlerë për mua kjo gjë! Ajo le të më kujtojë ndonjëherë si një nëntëmbëdhjetë vjecar, i cili u dashurua marrëzisht me të, por që nuk mjaftoi për t’i treguar sesa i gatshëm ishte të sakrifikonte për të! Tani, cfarë më mbetet? Në udhëkryq gjendem! Midis kufijve është plot me ushtarë, dhe kapërcimin tim përtej kësaj zone, e mendoj akoma më të vështirë! Ky oficer paska pasur plotësisht të drejtë kur më tha që hija e tij do të më ndjekë hap pas hapi, sepse vërtet po e bën! Dhe, po të mendoj thellë tani, unë jam i pashpresë, në shpëtimin e jetës sime, si dhe në atë të dashurisë sime me Bedranën! Atëherë, për cfarë më duhet me jeta? E provova një herë burgimin, por nuk mund t’ia lejoj vetes të shkel sërish në atë vend! Jo, në asnjë mënyrë!

I zhytur në një dëshpërimin të thellë, ( pak caste heshtje si për të marrë frymë thellësisht), arrij në përfundimin më të vështirë, por edhe më i duhuri, për jetën time: Vetë ekzekutimin!

Lamtumirë jetë e bukur djaloshare!


( Ndërkohë që vajza rend nëpër rrugë, papritur ndal hapin dhe nga larg vështron dicka që lëvi
VAJZA: C’të jetë ajo atje? Të afrohem dhe pak që ta dalloj më qartë, sepse mbeta duke vrapuar dhe atë nuk po e gjej gjëkundi! Ato ngjyra veshjesh i njoh! Zot i madh, është pikërisht ai! Më në fund të gjeta i dashur! Ti nuk e di sa kam rendur duke të kërkuar, vetëm që të shpëtosh e të ikësh nga ky vend i mallkuar për ty!


DJALI: ( me zë të mekur) :
Bedrana, ti je? Erdhe vërtet e më gjete? (pak pauzë)
Të lutem largohu! Mos më shih në këtë gjendje! Nuk dua që ti të kujtosh nga unë këtë fund, por të bukurat e dashurisë sonë!


VAJZA: I dashur, c’të ka ndodhur? Përse mezi po merr frymë? Je i lodhur, ke vrapuar shumë? Po më tremb! Të lutem, ngrihu të ikim, sepse je në rrezik dhe unë bashkë me ty tani! Eja, të ndihmoj!


DJALI: Largohu menjëherë, mos më ndihmo sepse është vonë, tani nuk vlej për asgjë! Më ler vetëm të mbyll sytë i qetë, ose më mirë, afrohu pak, të t’i shoh sytë e shkëlqyer për herë të fundit! E dashur, do të të dua përjetë!


VAJZA: Nuk po të kuptoj, cfarë po të ndodh? C’është ky gjak këtu që po del nga trupi yt? Jo, jo, Perëndi, mëshira qoftë me ty, të kanë goditur? Tani që unë ty të gjeta e mund të të shpëtoj? Nuk është e vërtetë, po ëndërroj? I dashur, përse po i mbyll sytë? Dhe duart e tu po lëshohen përdhe të pafuqishëm? Ngrihu dhe ikim sa më shpejt, sepse po të ndjekin e mund të jenë përqark!


DJALI: Bedranë, mos më ler të vdes! Tani që të pashë, po ndërroj mendje dhe dua të jetoj vetëm me ty! Kjo është vepra ime e fundit që i lejova vetes! Të lutem më kupto, ndihesha i pashpresë, përderisa ty të humba! Nuk më ka goditur askush tjetër, përvecse ndërgjegjia ime! Tani po të le të jetosh dhe të martohesh me drejtësi! Jetës tënde po i fal gjithë lumturinë time!

( ai lëshon duart e saj dhe vdes, ndërsa ajo shpërthen në ngashërime )



VAJZA: ( në monolog me zë të lartë )


Mos më ler të vetme, i dashuri im, ti më premtove të jesh burri i jetës sime! Si munde të ma bësh këtë gjë! E preve në mes me një thikë të mprehur dashurinë tonë të pamposhtur?! Braktisa tim atë për të ndjekur ty, e këtë e bëra sepse u pendova në mosbesimin tim ndaj fjalës tënde, e për këtë arsye të ndoqa deri këtu, dhe, cfarë më panë sytë e zemra? Agoninë tënde! Perëndi, shpirtin e tij e lartësofsh me dashurinë time! Qoftë ky djalë i dashuruar një udhëheqës i zemrës sime, sepse duhet të jetoj, për të mbajtur mbi supe atë lumturi që ai nuk arriti ta përjetojë gjatë! Dhe, një dashuri të tillë si e jotja gaxhoi im, nuk do ta harroj përjetë!

Jonida Roli - Prozë


SHAH- MAT!

Ai ishte i ri në grupin tonë. Një grup të “ hallakaturish”, na thoshte dikush. Megjithatë, ishte një mënyrë e bukur për të shpenzuar kohën tonë boshe.
Në një qoshk të thellë të një lokali të mikut tonë, bëheshim mbi shtatë veta dhe viheshim përpara dy tavolinave të shahut e luanim duke u ndarë në dy grupe. Loja bëhej aq e nxehtë, saqë harronim edhe familjet tona, duke u përfshirë në këtë garë prej dy grupesh. Herë pas here, pasi na kishte dalë nami si shahistë të cmendur, na bashkoheshin në tavolinë edhe grupe të jashtëm, për të bërë një garë fortë bastesh, si të ishim një kampionat i tërë. Por, për të gjithë ne, ky ishte një shfrytëzim i mirëfilltë i kohës dhe mënyrë e mirë për të vrarë trurin. Të gjithë klientët e atij lokali, herë pas herë tërhiqeshin nga kurioziteti dhe bënin tifozeri të ndonjë lëvizjeje të bukur dhe britmat shkonin deri jashtë kur thuhej shprehja: “Shah-Mat”!
Ndërsa ai, që as emrin nuk ia mësuam ndonjëherë, sepse nuk na e tregoi, kishte vetëm dy javë që ishte ulur në tavolinën tonë, krejt rastësisht, por me një dëshirë të madhe për t’u bërë pjesëmarrës në garën tonë të fuqishme. Ishte më i riu në moshë, rreth të tridhjetave, me një fytyrë të bardhë e të lëmuar, por me tipare të errëta, që të krijonte një egërsi të brendshme karakteri, një tregues i cili, të linte për të dyshuar. Por, para kësaj loje, ishte tërësisht i qetë dhe shumë herë i heshtur. Mbi të gjitha, kishte një talent të jashtëzakonshëm inteligjence dhe, në lojën e shahut, ishte një gjeni.
- Kur e ke mësuar për herë të parë lojën e shahut? – e pyes ditën e parë të takimit tonë.
- Që në moshën pesë vjec. Ma ka mësuar im gjysh! Por që në vogëli, nuk kam prekur më tavolinë shahu me dorë, për shkak të një kujtimi të hidhur.
- Megjithatë, e mban mend në një mënyrë të përsosur drejtimin e kësaj loje, dhe deri tani nuk ke humbur asnjë ndeshje. – ndërhyri një shoku ynë.
- Eshtë cështje talenti! Unë, jo vetëm në tavolinën e lojës, por edhe në jetën time të përditshme, ngjarjet i kam konsideruar një lojë shahu, dhe deri tani jam fitues.
- Në c’kuptim? – e pyet njëri kureshtar.
- Në kuptimin që, cdo ngjarje që ndodh në jetën time, nuk është asgjë tjetër vecse një gur shahu, i vendosur me dashje në kuadratet e fushës së lojës. Por, nëse është lëvizja e kësaj ngjarjeje është në kuadratin e zi, do të thotë që është tersndjellëse dhe duhet eliminuar, në të kundërt, ky gur në të bardhë, më sjell fat dhe më jep mundësinë që të fitoj lojën.
- Por, nëse para këtij guri - ngjarjeje, i del përpra një lëvizje e beftë e kundërshtarit dhe të bllokon situatën, duke humbur lojën, c’veprim bën?
- Atëherë, jam i gatshëm të përmbys tavolinën dhe e rinis nga e para lojën.
- Qenke shumë praktik me zgjidhjet e ngjarjeve! – i them unë me një formë ngacmimi.
- Nuk është prakticitet, - më përgjigjet, - por vendosmëri për të pranuar humbjen dhe për të rifilliuar gjithcka nga e para!
Në të shumtët e rasteve, askush nga ne nuk arrin ta kuptojë atë paralelizëm që ai shpreh midis ecurisë së një loje të thjeshtë shahu, me atë të jetës së përdishme. Ndoshta, sepse, cekëtia jonë mendore është larg nga inteligjenca e tij për të analizuar lëvizjet e mirëmenduara. Askush nga ne nuk di asgjë për të, se kush është dhe nga vjen. Ishte tërheqeja e tij intuitive, e cila e bëri të bashkohej me ne, por në disa veprime të cuditshme, të le të dyshosh në vogëlsira. Ishte shumë i ri në krahasim me ne, por i ndryshëm. Pyetjeve të shumta të kurioziteteve tona për më shumë njohuri, u përgjigjej me pak fjalë dhe i qetë. Dhe, pas përgjigjeve, ulte kokën e mendohej thellë për lëvizjen e radhës të gurëve të shahut.

Kishin kaluar disa ditë, dhe ky djaloshi nuk kishte ardhur më të luante me ne. I gjithë grupi ynë kishte krijuar një gjendje meraku dhe shqetësimi, sepse, ishte lojtari më i mirë dhe pak nga pak, natyra e tij po na pëlqente. Këto ditë, po krijohej një mungesë e thellë e tij, aq sa edhe ne ishim bërë të heshtur, pa gjallëri dhe dukej se ingranazhi i grupit tonë ishte bërë pikërisht ai.
Dhe ja, pas një jave mungese, djaloshi truphedhur, hyri në derën e lokalit dhe u drejtua menjëherë në tavolinën tonë. Por me një ndryshim të madh. Ishte bërë akoma më i heshtur dhe në fytyrë kishte një gërvishtje të thellë e të madhe, të fashuar.
- C’të ka ndodhur? – e pyeta menjëherë.
- Më fal, por nuk dua të flas për këtë! – m’u përgjigj.
Të gjithë pamë njëri-tjetrin të hutuar. Megjithatë, heshtëm, sapo pamë që, pas kësaj pyetje, sytë e tij u transformuan, morën një pamje të panjohur më parë. Por ai, nuk e humbi toruan, madje kërkoi që të zëvendësosnte njërin nga ne, në vazhdimin e lojës.
U bindëm të gjithë dhe vazhduam sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
- Na ke munguar të gjithëve djalosh! – i tha njëri, sa për të thyer akullin e heshtjes që na kishte rrethuar.
- Kështu më thonë të gjithë kur u mungoj! – përgjigjet ai me shpejtësi.
- Domethënë, qenke i rëndësishëm për shumë grupe njerëzish! – shton kundërshtari i tij i lojës.
- Jam shumë më i rëndësishëm nga c’mendoni ju!
- Po përse ateherë, ndërkohë që edhe luan me ne, nuk na tregon dicka rreth teje? Ti e kupton që, të gjithë ne jemi mjaft kuriozë të dimë, se me cfarë merret një djalosh inteligjent, në jetën e tij.
- Nëse unë ju tregoj se kush jam dhe me cfarë merrem, nuk do të më pranoni më në rrethin tuaj. Por, unë kam gjetur një lloj rehatie në mesin tuaj dhe më pëlqen të jem kampioni në këtë tavolinë. Gjithashtu, sic ju kam thënë në fillim, të luaj shah, për mua është një rikthim i fëmijërisë time e kjo më bën të ndihem i lumtur, pavarësisht jetës time aktuale. Prandaj, burra, më mirë të mos e dini aktualitetin tim, le të mbetet kjo një anë e pazbuluar. Këtë cast, duke lëvizur mbretëreshën, në këtë kuadrat të zi, kundërshtari im, të shpall: Shah – Mat!
Sapo ai bën këtë lëvizje finale, nga dera kryesore e lokalit, futen dy djem të rinj të veshur me të errëta. Djaloshi ynë, hedh sytë nga ata dhe menjëherë nxihet në fytyrë. Ngrihet nga tavolina me vrull dhe shkon drejt tyre. Të gjithë ne mbetemi pa fjalë dhe vetëm vështrojmë lëvizjet e tyre. Ata dalin jashtë të tre, dhe pasi bisedojnë për disa minuta të gjata, njëri nga ata, nxjerr nga brendësia e veshjeve, një pistoletë dhe ia drejton djaloshit tonë, duke e qëlluar në mes të ballit. Të gjithë brofim në këmbë por nuk bëjmë asnjë hap më tutje nga frikësimi, por shohim dy djemtë e tjerë që largohen qetësisht dhe djaloshin tonë që shtrihet përdhe i pajetë, pranë xhamit të lokalit tonë, në qosh të rrugës.

Ndër tërë ata burra që ishim, askush nga ne nuk e kishte kuptuar dot se ai djalosh, i cili na kishte shoqëruar për aq kohë, kishte qenë një kryebandit dhe fshehja e këtij informacioni për të, kishte qenë më se i saktë. Dhe, që nga ai cast i kobshëm që sytë tanë panë, tavolinat e shahut u hodhën përtej dhe deri atëherë, askush nuk guxoi ta rifillojë më atë lojë.

Jonida Roli - Prozë


HARLISJA E NJE BURRI

Sot u mbushën plot gjashtë ditë, që kur kam vendosur të bëhem një shkrimtar. Shkrimtar?! Po, mendoj se po! Ndoshta një shkrimtar i rëndomtë, por më është mbushur mendja se shkrimtar mund të bëhet cdokush. Por si? Dhe përse?
Dy javë më parë, mora me qera një apartament të vogël në kryeqytet, në katin e katërt. Meqë jam i vetëm dhe askush nuk mund të më shërbejë për mirëmbajtjen, ky ambient është tërësisht një lëmsh. Drita tejet e pakët, një zymtësi e gjallë, por një gjë e ka të bukur. Në dhomën time të punës, pranë karrikes ku gjendem i ulur, më bën dritë dritarja. Jashtë saj, poshtë, gjendet një rrugë kryesore në të cilën vërtiten pa pushim njerëz. Njerëz të veshur mirë, të tjerë të veshur edhe në forma fshatareske, por c’rëndësi ka! Ajo rrugë është për të gjithë. Gumëzhitje, britma, sharje, gjithcka mund të dëgjosh nga këtu lart. Por, aq më bën! Duke parë poshtë, përpiqem të clirohem nga mendimet e mia e të përqëndrohem në ato lëvizje robotike të tyre, duke i vrojtuar, i pavëmendshëm, por me kureshtje.
Të kthehem sërish te cështja e shkrimtarit! Vendosa të bëhem shkrimtar, sepse kam në mendje ngarkesa të jashtëzakonshme për t’u shprehur, por, meqë askush nuk arrin të më kuptojë, vendosa t’i hedh në letër. Motivi? Eshtë vetëm një person! Maria! Ajo është, ose më mirë, ishte femra që më ka trazuar dhe shoqëruar që kur e kam njohur, deri më sot. Jam pothuajse 50 vjec dhe ajo akoma ka mbetur si hije në mendjen time, që kur, për herë të fundit e kam parë, para 25 vjetësh, kur, si pa të keq, më tha lehtësisht, se unë isha krejt i lajthitur nga dashuria ime për të, por që ishte e padurueshme. Prandaj, më braktisi brutalisht, pa më dhënë asnjë mundësi të dytë përmirësimi të karakterit tim, dhe u zhduk një herë e përgjithmonë. Por, cuditërisht, këto kohët e fundit më ka rikthyer në gjendjen e dikurshme të vetmisë, aq sa nuk më bën përshtypje që, nëse që prej dy javësh jam i mbyllur në shtëpinë e re, vërdallosem nëpër korridor e dhoma, e më pas ulem sërish pranë tavolinës sime, të mbushur me letra e lapsa, gota pijesh e cigare pa fund, me përpjekjen për të arritur që të shkruaj pikërisht atë boshllëk që më ka mbërthyer. Eshtë e pashmangshme figura e saj, aq sa duket sikur po shndërrohet në një sëmundje kronike në kujtesë, por që nuk mund të rikthej asgjë fizikisht. Prandaj, binda veten që, duke shkruar të gjitha mundimet e mia prej maniaku në këtë fazë të papërqëndrueshme, të mbyllem i vetëm me një dënim stërmundues dhe të clirohem nga ankthet e coroditjes vetjake, me të shkuarën e largët.
Marinë e mbaj mend si një vajzë naive, të cilën e dashurova që në momentin e parë të takimit tonë. Ishte një goditje e madhe për mua, të cilën atë cast, e bekova veten me mrekullinë më të madhe që më erdhi nga qielli. Por, e kundërta po ndodh sot, jo vetëm që po e mallkoj atë ditë, por dua që të më ndodhë një Mrekulli tjetër e Madhe, që të më japë një të shpëlarë të kujtesës, në mënyrë që të jetoj i qetë, pa këtë mënxyrë që më është kanosur.
Me këtë gjendje të rëndë psikologjie, i kapërdij fletët e bardha me të zezë, si të mos isha unë ai që po shkruan, por dikush tjetër brenda meje, i cili, më ka kërcyer nga kraharori dhe po vërshon duke shfryrë me shkronja e rrjeshta të tëra, një jetë të largët të rinisë sime. Nuk jam në gjendje të ndaloj më! Tashmë ky personi i dytë po bëhet një atlet i pandalshëm i të të shprehurit rrjedhshmërisht të asaj ngjarjeje me protagonisten kryesore, Marian. Aq i përqëndruar jam në këtë objektiv para letrave, sa nuk e vë re që gati po perëndon dhe unë nuk kam bërë lëvizjen më të vogël. Në mënyrë mekanike, shkëputem nga tavolina dhe shikimin e hedh nga dritarja e hapur, aty ku turma e njerëzve vazhdon të vërshojë në forma zik-zake, sikur dikush i ndjek nga pas. Papritur, vështrimi më has me një femër të hajthshme, të gjatë e me flokë të zeza. Një forcë brenda në shpirt më shtyn ta vështroj me vëmendje, lëvizjet e saj, konstruktin e trupit si dhe mënyrën e të veshurit që ajo mbart. Brof menjëherë në këmbë dhe përkulem më tepër nga ana e jashtme e dritares, me qëllim që të vrojtoj destinacionin e levizjeve të saj. Ajo sapo kaloi poshtë kokës sime dhe po largohet nga e majta e rrugës. Pa e kuptuar, truri im mori një gjendje mpirjeje, por, menjëherë, më dha vetëm një urdhër të prerë:” Zbrit poshtë dhe ndiqe”!
I zbrez me një frymë të katër katet e pallatit tim dhe gjendem menjëherë në rrugë, pikërisht në atë vendin ku pak caste më parë, e shkeli ajo, e Panjohura. Gjatë gjithë këtyre casteve, mendova vetëm për një justifikim, që ta ndalja. Nuk është më, nuk e shoh dot, e kam humbur nga sytë! U gjenda i pashpresë dhe me një keqardhje për veten, që nuk arrita në kohë për ta takuar. Gati gati, gjunjët nuk po më mbanin më nga zhgënjimi, megjithatë, nisa të vrapoj lehtë nëpër rrugë, mes njerëzve, se ndoshta nuk është larg. Frymëmarrja ime u bë e rëndë dhe më peshonte psikologjikisht, por nuk e humba toruan. Edhe pak, do të kërkoja edhe pak, sepse ajo grua e mistershme po më fuste në një qorrsokak të pa kuptimtë por tepër emotiv.
Vetëm shtatë metra larg meje, vështrimi im e zë të dalë nga një derë dyqani, më kthen shpinën sërish duke i hedhur hapat e saj lehtë dhe e palëkundur. Marr sërish vrapin dhe e arrij. I eci pranë me ritmin e hapave të saj, akoma pas shpinës dhe rimendoj justifikimin e ndaljes. Por, duke qëndruar pranë saj, ai konstrukt më rikujton dikë, një përngjasim i cuditshëm i asaj që unë kam 25 vjet që nuk kam arritur ta rindërtoj në mendjen time. Menjëherë, zgjas krahun dhe dorën e vë mbi njërin sup të saj:
- Më falni! - i them dhe cuditem!
Vajza e mistershme kthehet nga unë. Eshtë ajo, është pikërisht ajo, Maria ime e dikurshme. Befas, të gjithë muskujt e mi të trupit ngrijnë dhe nuk bëjnë asnjë lëvizje.
Ajo që po përpiqesha të ndërtoja në mes letrash të bardha në dhomë, befas m’u shfaq si të më kishte rënë nga qielli.