e shtunë, 4 korrik 2009

Mjaft për sot


EssE

Jonida Roli


Pas një shëtitjeje të gjatë që kisha bërë në anë të bregetit, u ndala pranë një barke peshkimi. Peshkatarët me një forcë të madhe, po tërhiqnin duke zvarritur nga ajo, një trup të madh e të rëndë. Ndërsa po i vrojtoja me vëmendje pashë që ai trup ishte një delfin i ri, të cilit, trupi i shkëlqente akoma nga lagështia e ujit në përplasje me rrezet e forta të diellit veror. Ajo pamje më bllokoi frymëmarrjen dhe agonia e rëndë më dobësoi shikimin. Ai delfin ishte i pajetë. Po tërhiqej zvarrë nga burra që flisnin me të madhe dhe qeshnin gjatë. Pasi e lëshuan mbi rërën e lagësht për t’a transportuar, dhe u larguan për pak, unë iu afrova asaj gjallese pafrymë. Oh, natyrë e fuqishme e mrekullive dhe e ligësive!!! Ajo pamje rrënqethëse të vibronte në shpirt. Si mund të vdesë një delfin? Ndër të gjithë kafshët e detit, ai është lindur dhe i destinuar vetëm për të kërcyer e vallëzuar me tërë qenien e tij. Është e vetmja kafshë që, edhe kur nuk është e lumtur, lodron dhe lumturohet me talentin e saj duke u dhënë tërë krijesave të tjera një mirësi me shpirtin të trupëzuar në ato vallëzime. Ai delfin është mbreti i vetvetes dhe nuk do t’ia dijë për askënd.
Instiktivisht vëreva buzëqeshjen e tij! Të gjithë delfinët kanë një buzëqeshje hyjnore që, vetëm atyre është falur me atë bukuri të pamasë. Edhe pse të vdekur, buzëqeshja e tyre nuk u largohet nga buzët por me pafajësinë e tyre, t’a dhurojnë atë duke mos kërkuar asgjë në këmbim. U bllokova krejt para asaj pamjeje hyjnore dhe nuk munda të bëj asnjë lëvizje muskuli. Ai po më ftonte në lumturitë e tij të jetës! Pasi zgjata pëllëmbën e dorës dhe i përkëdhela ballin e ftohtë, një shkëlqim i fuqishëm e syve të tij të hapur më rrëmbyen shikimin tim dhe u përplasën në thellësirën e domethënies së asaj qenieje të nënujshme. E gjendur e vetme, bashkë me botën e tij, humba tërësisht dhe, në një shpejtësi dritë të fleshtë, humba në një histori që delfini po më shfaqte vetëm ndërmjet kësaj force të panjohur:

Një natë, ndërsa delfini po flinte, në ëndërr iu shfaq Zoti.
- Delfin, Unë jam fuqia e detërave, do të jap një urdhëresë që duhet ta kryesh. Do t’u thuash të tërë krijesave të tjera të detit që ti je i etur për ujë! Dhe do të të kërkoj përgjigjen që dua nga ata, pasi t’ua kesh thënë!
- Përse duhet t’u them këtë, të gjithëve? – pyeti delfini, por nuk mori asnjë përgjigje sepse, akoma pa mbaruar fjalën, Zoti ishte larguar dhe ndriçimi verbues ishte larguar.
Të nesërmen, ai u zgjua nga gjumi dhe iu kujtua ëndërra e asaj nate. Pasi u kthjellua mirë, ai nisi lundrimin e tij të qetë dhe, ndërsa u takua me një peshk, forma trupore e të cilit, ishte shumë më e vogël se ai, delfini e ndali dhe i tha:
- Unë jam i etur për ujë!
- Ti je një budalla, atëherë! – i tha peshku dhe vazhdoi rrugën e tij i qetë me mospërfillje, duke thithur ajrin rëndshëm.
Delfini u ndje i turbullt, megjithatë, vazhdoi lundrmin e tij, i qetë, edhe pse kjo që Zoti atij i kishte kërkuar, i dukej shumë e çuditshme.
Më pas, përballë tij, iu shfaq një peshkaqen i hirtë dhe madhësia e tij, edhe pse e trembi, mori guximin t’i kalonte pranë dhe u përpoq t’i fliste:
- Dua të të them që kam etje për ujë!
Peshkaqeni e pa vëngërt dhe i foli me tinguj të fuqishëm, sikur të ishte duke qeshur me sytë e hutuar të delfinit.
- Atëherë, ti duhet të jesh i çmendur! Çfarë përgjigje pret nga unë? – i tha dhe u largua duke tundur bishtin fuqishëm e lëshoi tinguj të tjerë që delfinit nuk i pëlqyen aspak, sepse ishin thirrje kërcënimi për të.
Atëherë, ai, i dëshpëruar, nisi të lundrojë lehtë, më shumë i turbulluar nga kjo situatë sepse, askush nuk nuk i dha një përgjigje të qartë, madje e injoruan në një mënyrë të prerë. Pasi pyeti edhe disa kafshë të tjera të vogla, nuk mori asnjë rezultat, u lodh dhe u ndal. U mendua thellë dhe arriti në përfundimin se, ajo ëndërr nuk mund të ishte e vërtetë. Nga të gjitha përgjigjet që ai kishte marrë nga banorët e tjerë të detit, ai mendoi se vërtet ishe një budalla dhe nuk kishte të bënte aspak me Zotin në ëndërrat e tij. Por, sapo po vendoste të dorëzohej nga ky urdhër i dhënë, që larg, dëgjoi tingujt e një kënge të një balene që po i vinte përballë. Mori forcat dhe i tha vetes se, nëse mund t’i them edhe balenës të njëjtën gjë, ajo që është banorja më e urtë dhe më e ditura ndër të gjithë ne, mund të më japë një përgjigje të saktë, ashtu siç Zoti më kërkon mua që t’i jap atij.
Nisi sërish lundrimin, me një shpejtësi vallëzimi duke harkuar trupin mbi sipërfaqen e ujit e njëkohësisht duke u zhytur nëpër thellësirat e saj. Pas disa hedhjesh lozonjare që vetëm ai di t’i bëjë, delfini iu afrua trupit të balenës, e cila po lundronte me një ngadalësi që tregonte urtësi madhështore.
- Ndalu pak, dua të të them që kam etje për ujë! – i tha delfini me tinguj të trishtuar, por sapo, e pa balenën në sy, një optimizëm i ndryshoi menjëherë gjendjen që e kishte mbërthyer.
Ajo, e pa delfinin me një vështrim të ëmbël dhe ndali tërësisht. Ngriti sytë e saj të vegjël të mbi sipërfaqen e ujit, atje tej, në lartësi dhe pasi qëndroi pak në heshtje, i tha delfinit:
- Ti delfin, ke takuar Zotin?
Ai zgurdulloi sytë e tij dhe i habituir i tha që po.
- Si e gjete këtë? – e pyeti i çoroditur.
- Ua kam thënë këtë shumë prej banorëve tanë këtu, por të gjithë më kanë injoruar duke më kthyer shpinën, brutalisht.
- Edhe unë delfin, dikur e kam takuar Zotin dhe kam qenë në vendin tënd. Edhe unë dikur kam qenë e etur për ujë. Të njëjtin reagim kam pasur edhe unë nga banorët e tjerë, derisa kuptova diçka nga Ai. - tha balena e urtë dhe qeshi me tinguj shprese.
- Ma thuaj edhe mua të lutem, cili është kuptimi tërë kësaj historie sepse, jam i turbullt! Ç’është ky mesazh që na jep ne peshqve, Zoti? – e pyeti delfini.

Do të thotë që, ne peshqit e kërkojmë Atë lart e poshtë por nuk e gjejmë dot, e kërkojmë me breza të tërë por së fundmi, dëshpërimisht, mendojmë se ai nuk ekziston për ne. Pra, nuk e besojmë më që ai ndodhet kudo, përqark nesh. – i shpjegoi balena atij.
- Sa e çuditshme, ne nuk arrijmë të kuptojmë dot as se ç’është kjo shprehja “ kudo”! Ne jemi vetëm peshq, e nuk njohim asgjë tjetër, përveçse ujërave të detërave! – u shpreh delfini dhe pshërëtiu thellë.
- Kështu mendoj edhe unë, por nuk do të thotë kjo, që edhe kur ne peshqit kemi etje, ai e kupton këtë, kudo që të ndodhet?! – shtoi balena dhe psherëtiu më thellë sesa delfini duke lëshuar tinguj të gjatë, të cilat oshtëtinë nëpër thellësinë e detit.


Në një çast, burrat u afruan tek ne dhe nisën të ulërasin duke urdhëruar njëri-tjetrin që të merreshin me trupin e delfinit të lëshuar mbi rërë dhe unë u zgjova menjëherë nga ajo ëndërr që ajo qënie sapo më kishte dërguar nëpërmjet shikimit të tij, trupësisht të vdekur por shpirtërisht, më shumë se të gjallë.
U largova nga ajo krijesë e pafrymë duke ecur me hapa të shpejtë duke i thënë vetes se sot kisha parë e ndier brenda dhe jashtë meje një ngjarje që nuk do të më përsëritej më. Por, mjaft për sot, ajo që mora nga kjo kafshë, tashmë më ka dërrmuar dhe njëkohësisht, mësuar se deti ka një botë të tërë të tregojë, mbi ngjarjet e saj.

Nuk ka komente: