e martë, 19 korrik 2011

Don Kishotët dhe mullinjtë e erës

Jo më larg se sot, një rast qesharak më ka lënë pa fjalë nga një mike e cila më ftoi për bisedë. Më tha se kishte dëshirën e mirë që të regjistrohej për në universitet, por ishte në dilemë për përcaktimin e degës në të cilën do të ndihej më komode. E dija mirë që në zemër kishte profesionin e gazetarisë dhe ia sugjerova menjëherë. Rrudhi vetullat pak çaste e më tha:

“Jo! Në asnjë mënyrë!”

U habita nga reagimi.

“Nuk dua të përfundoj duar më duar për të gjetur një vend pune nesër! Për çfarë do më vlejë ky universitet atëherë?”



A ka të drejtë apo jo, ajo kishte opinionin e saj në lidhje me ushtrimin e këtij profesioni. Gjithashtu, është e vetëdijshme se çdo profesion sot në këtë vend, behet edhe në mënyrën që ajo i frikësohej sepse, tashmë kjo lloj “kulture moderne” është shndërruar në një pushtet më vete. Por, ç’po ndodh me gazetarinë sot? Me shtypin e lirë?

Famtirësisht, në këto 20 vite tranzicion kemi pasur një larmi mediatike. Pak, sa mund t’i numëroj me dy gishta, prej të cilave kanë bërë boom-in e tyre profesional, të tjera kanë pasur fatin e keq të mbeten në hije dhe të plogësht. Të paktën kështu duken në pamje të parë, por ç’ndodh në të vërtetë brenda këtyre institucioneve, mediave apo shqypit, vetëm gazetarët, personeli staff e të tjerë e dinë të vërtetën. Për të bërë punën, duhet të mendohen duke u rrotulluar 360 gradë përqark vetes, me frikën se pena dhe mendimi mund të cënojë eprorin, hallkat e tjera përtej pozicionit të eprorit, e pafund. Ku është liria në këtë mes!? Fatmirësisht Shqipëria disponon një piedestal të vogël të gazetarëve të mirëfilltë por mullinjtë e erës e kanë forcën e gravitetit më të fortë sesa vetë ideali për të cilën kanë studiuar e luftuar në fillesën e profesionalizimit. Dhe kjo nuk vjen aspak me dëshirën e askujt porse, është vetë koncepti i krijuar tashmë i zënë kallo. Ashtu siç gazetarët, reporterët, analistët të cilët nëpër korridore e kafene më shumë po shndërrohen me termin “llafazanët”, po keqkuptohen gjithnjë e më tepër në pasqyrimin e vërtetësisë së këtij profesioni aq të bukur dhe luftarak.

E vërteta është se, Shqipëria ka një mungesë të theksuar të gazetarisë, medias dhe shtypit të lirë të një historie të thellë e të largët. Të bërit gazetari, që unë e dua dhe quaj tepër fisnik, ka mangësinë e të së kaluarës. Çfarë vallë mund të quajmë në leksion universiteti; historik të gazetarisë, kur ajo nuk ekziston? Një historik mund të quhet vetëm atëherë kur, mbi 80 vjet eksperiencë, është ngritur një kupolë prej profesionistësh të cilët kanë ndërtuar vërtet në mënyrë të kënaqshme pushtetin e tyre, pra pushtetin e katërt siç quhet. A e ka Shqipëria këtë fortesë? Këtë kupolë të ngritur me bazë intelektuale –gazetarie e cila jo vetëm ka ushturar dhe ushtron këtë profesion në të gjitha aspektet dhe nëndegët e saj, por mbron me ligjet e ndërtuara nga vetë kjo kupolë të gjithë anëtarët e saj dhe, duke mbrojtur këta anëtarë, ajo mbron vetë konceptin e punës dhe mirëqenien e saj. E vetmja media shtetërore përkatësisht, RTVSH, e cunguar, cënuar dhe çensuruar nga qeveria diktatoriale, nuk mund të jetë aspak shembull për gazetarinë tonë, aq më pak të quhet kontribuese e historikut të gazetarisë, meqë lënda bazë pra “Liria” ishte e para që mungonte me pahir. Shumica e mediave erdhën dhe u ngjizën nga persona pak të njohur ose nga hiçët. Të ngrije të media ishte të investoje paratë e tepërta që të vinin vërdallë nëpër xhepa. Këta ishin investitorët privatë, të panjohur, por me dëshirën në këtë fushë, thjesht me idenë e nisjeje të re. Të paktë janë ata të cilët kanë fatin të ecnin kokëlartë, por shumë shpejt në kohë, kanë rënë këmbanat e një tjetër faktori shqetësues, ai ekonomik i investuesve, të cilët, po trajtojnë “punonjësit” e tyre të njohur a të panjohur si ashkë për të mbijetuar. Dhe sërish, këmbanat janë duke rënë se, së shpejti investuesit privatë, do të acarohen akoma më shumë nga kriza ekonomiko-financiare dhe e vetmja mënyrë për të mos çuar deri në falimentim atë që kanë mbajtur të gjallë prej vitesh, mund të bëjnë shit-blerje tek pushtetet më të lartë se vetja, bashkë me stafin brenda saj, njësoj siç shit-blihen dhe futbollistët në kampet e ndryshme. Dhe pikërisht këtu shoh një përputhje të dukshme me fatin e RTVSH dhe gazetave të kohës.

Kjo është zanafilla ku gazetaria jonë, nuk ka një histori të mirëfilltë me themel, ka një të tashme të çoroditur e cila nuk po merret vesh se nga po u fryjnë mullinjtë e erës Por a ka menduar ndokush se cili është fati i saj në të ardhmen? Ose, a do të ketë vallë, meqenëse, edhe në universitet, numri i studentëve të gazetarisë po zvogëlohet gjithnjë e më shumë nga nami i keq apo mosdhënia e mundësisë?

Më thoni ju lutem në jam gabim, do të isha e lumtur!



Botuar ne periodiket.

Nuk ka komente: