Jonida Roli

Ndonjëherë, pyesim veten se ç’është besimi. Si duhet kultivuar ai midis njerëzve dhe sa të qartë e kemi ne pamjen e tij edhe në periudha stuhie të marrëdhënieve.
Ndërsa unë them që besimi është fort i lidhur, madje ecën krah për krahu me dyshimin. Dhe këtë sapo e kam kuptuar vetëm disa ditë më parë. Qoftë besimi, ashtu edhe dyshimi për diçka, dikë ose çfarëdo gjëje tjetër, janë dy zjarre të cilat, nëse ndizen, të konsumojnë çdo ditë nga pak. Dhe kjo është më e keqja, sepse, të konsumon çdo ditë nga pak dhe jo në formë të njëtrajtshme, me lakime të forta, të ndryshme njëra nga tjetra. Duhej të vinte kjo ditë, kjo moshë imja prej gjashtëdhjetë e tetë vjetësh që të kuptoja këtë. Edhe pse nuk ka vlerë në të ardhmen, diçka të së tashmes e mësova. Kam pasur mëdyshje që më kanë trazuar, por vetë i kam neglizhuar për të arritur besimin e duhur në ngjarjen që më ka ndodhur e do t’jua tregoj tani.
Gjatë vitit gjashtëdhejtë e pesë u njoha me Teodorin. Ai ishte një djalë aktiv me një kapacitet tejet “lluksoz” të mendjes. Ishte pikërisht kjo veçori e cila më goditi tek ai, derisa një ditë, vendosëm të bashkoheshim me martesë. Ishte pikërisht nata e 25 shkurtit të vitit 1967 kur ai, me zërin e tij kumbues dhe të qartë më shprehu:
- Eleonora, a do të bëhesh guraja ime?
Nuk kisha sesi të mos i thoja “po”. Ai kishte zënë një pjesë të madhe në zemrën time. Dhe, që atëherë, jeta jonë rrodhi me hapa të mëdhaja drejt suksesit të familjes. Ai kishte ndërmarrë një premtim me veten. Ishte një shkrimtar, një shkrimtar i shkëlqyer dhe i pandalshëm. Me diplomime të njëpasnjëshme, arriti të krijojë figurën e tij, gjithashtu të jetë një pedagog në Universitetin Artistik. Ndërsa unë, ndërkohë që shpenzova kohën time me rritjen e tre fëmijëve tanë, pothuajse e kisha harruar talentin dhe përkushtimin tim ndaj pianos, për t’iu rikthyer vite më pas me sukseset e mia nëpër koncerte.
Shumë vite pas martesës sonë, vendosëm që të largoheshim nga metropoli dhe të merrnim një shtëpizë të vendlindjen time, pranë bregdetit. Me këtë shpërngulje, kishim diskutuar që të distancoheshim nga jeta e zhurmshme e përditshme dhe të përkushtoheshim tek qëllimet tona artistike. Ai ishte shumë entuziast dhe ajo që i nevojitej më shumë, ishte qetësia. Meqë fëmijët tashmë të rritur, nuk dëshironin të na diqnin, atëherë u vendos që ne të dy, t’i gjendeshim më pranë njëri tjetrit me të gjithë kohën e mundshme.
Por, ky përkushtimi i kohës së plotë për bashkëshortin tim, për herë të parë, solli në jetë faktorin “dyshim”. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë unë vëreja ndryshime të sjelljen e tij. Aq sa një ditë mora guximin t’i hapesha.
- Teodor, dua të flasim sëbashku! – i thashë duke e shkëputur nga puna në tryezën e tij.
- Më thuaj Eleonora! – u përgjigj ai duke ngritur sytë dhe hoqi syzet.
- Sa kohë u bënë që jetojmë sëbashku?
- Rreth dyzetekatër vjet Eleonora, por përse po më pyet për këtë?
- Sepse, këtë periudhë unë shoh diçka të ndryshuar tek ti. Kohët e fundit ke sjellje që më lë të mendohem dy herë pa e gjetur një përgjigje të qartë.
- Ku qëndron problemi? Çfarë nuk shkon tek unë?
- Nuk duhet të ma thuash ti këtë?
- Qëllimin nuk e kuptoj!
- Atëherë, po të ndihmoj. Në fillimet e martesës sonë, nuk i kemi përkushtuar shumë kohë njëri-tjetrit për shkak të aktiviteve të shumta të tuat dhe ndoshta unë jam marrë më tepër se ç’duhet me fëmijët. Por, që kur jemi transferuar këtu, pasi njëri-tjetrin e shohim si në një pasqyrë, po dalin në pah disa gjëra që nuk po i përcaktoj dot. Po e filloj me atë dosje në kasafortë, përse më ke thënë gjithnjë që nuk duhet as ta prek as t’i hedh sytë, e mban të mbyllur me xhelozinë më të madhe! Ç’kuptim ka kjo?
- Ah, Eleonora, të kam shpjeguar që çështjen e kësaj dosjeje nuk duhet ta diskutojmë asnjëherë. Kjo ka të bëjë me një të shkuar timen, që tashmë e kam varrosur dhe nuk dua t’i rikthehem.
- Po përse atëherë, e mban akoma? A nuk duhet varrosur edhe ajo dosje?
- Jo, dua ta mbaj si kujtim. Është e rëndësishme për mua, por nuk mund të ta them.
- Po këto vizita të njëpasnjëshme, telefonata të çuditshme nga larg, letra me postë që vijnë vazhdimisht, ku duhet të më çojnë në mendim?
- Të lutem Eleonora, mos më bëj shumë pyetje!
- Atëherë, Teodor, kush je ti?
- Si mund ta thuash këtë, nuk më njeh? Nuk njeh bashkëshortin tënd, prej mbi dyzet vjet martese?
- Prandaj po të pyes Teodor sepse, nuk po të njoh më!
- Atëherë Eleonora, të vemë pikat mbi I. Je bashkëshortja ime dhe të respektoj për këtë por, janë disa arsye që nuk mund t’i kuptosh as nuk do mundesh t’i imagjinosh nëse unë do të t’i shpjegoj. Por, nëse një ditë, unë vdes para teje, të vërtetat e pyetjeve të tua, kërkoji, por vetëm atëherë.
Pas fjalisë së fundit të tij, e tërë koraca e besimit që kisha ndërtuar prej kohësh mbi të, u kris menjëherë. Nuk po arrija të perceptoja më kohët, të shkuarën, atë të këtij çasti dhe të së ardhmes. Duhej të prisja vdekjen e e tij që të merrja një përgjigje të saktë e të qartë!?
- Je në vete? – iu ktheva por këtë herë me ton të lartë.
- Po, jam i tëri këtu! – m’u përgjigj.
- Nuk e kuptova mirë, apo gabove ti në përcjelljen e fjalisë së fundit tëndin tek unë; duhet të pres vdekjen tënde që të marr përgjigjen se kush je ti?
- Po, e thashë drejt! Duhet të presësh! Nuk më pëlqen që të dish mbi mua për sa kohë unë jam në jetë. Përderisa nuk ta kam thënë në këto shumë vite bashkë, atëherë nuk të kushton shumë të presësh edhe ca vite. Unë tashmë i plakur jam...!
- Mjaft! Po thua vetëm gjepura! Nuk është më e thjeshtë që t’i vesh çelësin asaj dreq kasaforte e ta njerrësh dosje të zezë që aty dhe të më tregosh, për më tepër, të më qetësosh!?
- Më vjen keq, Eleonora, nuk mundem, më kupto! E mbyllim tani këtë bisedë sepse, duhet të punoj mbi librin.
- Po dal njëherë Teodor, po shëtis të marr pak ajër jashtë sepse, jam shumë e turbullt.
- Do të bësh shumë mirë, e dashur!
Ja pra, ky ishte çasti ku, besimi i lartmadhërishëm i cili, mban peng dy persona për kohë të gjatë me të ashtuquajturën “martesë”, vjen dhe groposet menjëherë, duke ia lënë vendin dyshimit të madh të ekzistencës time me Teodorin. Që në momentin që dola nga ajo dhomë e tij, e tërë bota u shemb dhe mendimet e mia morën vetëm forma negative, të keqardhjes për veten por edhe të një zhgënjimi të një dimensioni të papërshkruar mbi jetën time bashkëshortore.
Bashkëshorti im tashmë u nda në dy pjesë: I pari ishte ai djali bjond i gjatë i dikurshëm, energjik, i palodhuri dhe këmbëngulësi i arritjeve të tij profesionale. I pathyeshmi, me një vullnet të fuqishëm që më bëri të dashurohem. Ndërsa i dyti është kjo pamje re; një burrë i cili ka shndërruar identitetin, ngjyrën dhe lëkurën e identitetit duke m’u shfaqur në një të panjohur. Asnjëherë, nuk e kisha menduar që pikërisht ai, të më ndihmonte të përfundoja në një qorrsokak kaq të errët të jetës sime pas kaq shumë vitesh. Por, e mblodha veten dhe nuk do të tentoj më që të lëndohem me mendime të tilla. Ajo që mbeti, është vetëm një hije e zezë dyshimi, e pakapërcyeshme e cila, sapo më dërgoi buzë një humnere të panjohur dhe që mjafton një lëvizje e pamenduar e mund të rrëzohem njëherë e përgjithmonë.
*
Para tre ditësh, Teodori më la të vetme në këtë jetë.
Para tre ditësh ai më dha lamtumirën e fundit qetësisht, i ëmbël porsi ditën e parë të njohjes. E përcolla atë për në banesën e fundit me keqardhjen më të madhe që më braktisi shpejt, por edhe me një paqe sepse, vërtetë koha që jetuam mjaftuan të qëndronim bashkë.
Por sot, m’u rikthye në mendje dosja e zezë brenda kasafortës së tij. U ngrita menjëherë nga poltroni im dhe shkova pranë saj. Për një çast, hezitova:
Duhej të vendosja; nëse do të zgjidhja që të ruaja përgjithmonë imazhin e Teodorit ashtu siç e kam njohur deri në ditën e tij të fundit dhe të braktisja pyetjet dhe dyshimet e mia, apo të hapja atë derë të rëndë dhe të nxirrja atë dosje që të vërtetoja njëherë e mirë dilemat e mia mbi burrin, të cilit i kam falur plot dyzet e katër vjet bashkëjetese. Këto dy rrugë të të përzgjedhurit më gozhduan në vend, me këmbët të ngulur mbi dysheme dhe nuk po bëja asnjë veprim përveçse, vështrimit që e kisha hedhur mbi kasafortë. Duhej të vendosja! Duhej të vendosja për të mirën apo për të keqen time!? Përse Teodor më le në këtë kanosje dyshuese? Përse nuk më dhe asnjëherë një përgjigje të saktë? Nuk doje ta ndaje me mua këtë çështje por, krijove humnerën midis nesh dhe unë, e vetme, duhet të hedh hapin e fundit???
Në dhomën tjetër u përplas një derë nga korrenti i erës dhe unë u “zgjova” menjëherë nga ky ankth që më kishte pushtuar dhe i dhashë vetes një vendim: Do ta hap!
Do e hap, Teodor! Do e hap sepse, dua të qartësoj veten time, të hedh në det dyshimet që më kishin mbërthyer që nga dita e bisedës tonë. Arsyeja tjetër është se, llogjika nuk më mjafton që të kapërdij gjendjen që kam kaluar tërë këtë kohë, por kam nevoje për fakte, prova, të cilat mund të jenë negative, nuk e vë në dyshim Teodor që mund të jenë negative, në të kundërt, do të më kishe ulur pranë teje dhe do e kishe shpejguar gjithçka me qetësinë tënde të patundur dhe do të më kishe qetësuar. Por, ti më le peng të një të vërtete që po më tundon ta gris pikërisht në këto momente. Të më falësh i dashur! E di që vetë më premtove që ta bëja pasi ti të kishe ikur përgjithnjë. Mund edhe ta kisha kursyer e të vija tek ti pa e njohur, por jam e paaftë t’i rezistoj!
Hap me nxitim derën e kasafortës dhe gërmoj me gishtërinj midis dosjesh e letrash të shumta, atë, dosjen e zezë. E gjej në fund të tyre dhe e tërheq me forcë. Pasi e marr në krahë dhe e mbështes pranë kraharorit, shtrihem mbi shtratin tonë dhe i largoj litarët për t’i hapur kapakët. Aty shoh letra pafund, letra deklaratash, letra të vulosura e të firmosuar, por letra të zverdhura nga koha e largët. Të gjitha në gjuhë të huaj. E në fund të tyre, një pasaportë.
Një pasaportë gjermane!
E hap me kujdes atë pasaportë. Ajo përmban një emër të shkruar në gjermanisht: Erhard Gottschalk dhe përbri saj, një foto e Teodorit. Po, është pikërisht ai! Zgurdulloj sytë dhe shfletoj letrat e tjera me qëllimin për të kuptuar ndonjë gjë, por gjithçka gjendet në gjermanisht! Midis tyre, gjej vetëm një fletë deklaratë në shqip të vulosur e firmosur:
“Erhard Gottscholalk, me origjinë gjermane, përkatësisht, Berlin, merr të drejtën e plotë të nënshtetësimit shqiptar dhe njëkohësisht, ndryshon identitetin e tij me emrin e ri: Teodor Manjani.”
Oh, Zot! Teodori qenka me origjinë gjermane dhe unë nuk e paskam kuptuar aspak!? Dhe gjuhën që e kishte mësuar në një mënyrë përsosur dhe nuk më kishte lënë asnjë dyshim në të! Përse nuk duhej të ma thonte ai këtë? Ç’të keqe mund të kishte, nëse unë do të isha në dijeni të këtij fakti?? Përse Teodor, apo kushdo tjetër qofsh? Përse?
Duke folur me veten e xhindosur, e ngre me dy duart në ajër të gjithë dosjen dhe e shkunad atë. Të gjitha fletët shpërndahen mbi kuvertën e shtratit por, diçka e re bie rëndshëm para tyre. Një yll - simbol i nazizmit. E prek dhe e marr me dy gishta; ajo është një stemë karficë e cila vendoset mbi jakën e kapotës ushtarake.
Tashmë, të gjithë pamjen që më ka stërmunduar, e kam të qartë, të kristaltë. Mendimet dhe fjalët më kanë shteruar. Qëndroj e palëvizur dhe fiksoj sytë tek shtrati ynë i bashkëshortësisë dhe i zhgënjimit të madh.